Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka uruar kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin për fitoren si dhe ka vlerësuar procesin zgjedhor në Kosovë, duke thënë se ata u bënë shembull për Shqipërinë dhe Ballkanin.
Në një prononcim për mediat, Basha u shpreh se pas zgjedhjeve të 25 prillit ai dhe PD do të jenë në krahun e tyre për të bashkëpunuar fuqishëm në përfitim të zhvillimit, punësimit, të dy vendeve tona.
Lulzim Basha: “Uroj LVV për fitoren në Kosovë. I uroj të gjithë në Kosovë për një standard model në zgjedhje. Kjo është një arritje e jashtëzakonshme e qytetarëve të Kosovës. Kosovën e presin sfida të mëdha përpara, ndaj i uroj fituesve në zgjedhje dhe partive të tjera, që të bëjnë gjithçka në sfidat që i presin për përmbushjen me sukses të pritshmërive të qytetarëve të Kosovës. I garantoj që sot dhe pas zgjedhjeve të 25 prillit unë dhe PD do të jemi në krahun e tyre për të bashkëpunuar fuqishëm në përfitim të zhvillimit, punësimit, të dy vendeve tona”.
Ndërkohë, kreu demokrat u ndal dhe te premtimet e kryeministrit Edi Rama, para se të vinte në pushtet. Sipas tij, Shqipëria ka mbetur në vend numëro dhe shkaku kryesor për këtë është Rama, i cili nuk ka mbajtur asnjë premtim.
Lulzim Basha: ”Shqiptarët i mbajnë mend shumë mirë premtimet e Ramës, që nuk janë 9, por dhjetëra e qindra premtime që ai ka bërë dhe nuk i ka mbajtur. Dje vetëm kujtova një pjesë të vogël të këtyre premtimeve. Një kryeministër që nuk i mban premtimet, me të cilat vjen në pushtet, nuk ka të drejtën morale të kërkojë një mandat tjetër. Jo vetëm që nuk ka kërkuar falje që nuk ka mbajtur asnjë premtim të vetëm, tani po vjen me të tjera premtime boshe. Vetëm propagandë, asnjë premtim të mbajtur.”