Turqi: Operacion kundër organizatës terroriste, arrestohen 718 të dyshuar

Në një operacion të madh policor në mbarë Turqinë, janë arrestuar 718 persona të dyshuar për lidhje me organizatën terroriste të PKK-së.

Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Turqisë njoftoi se pjesëtarët e departamenteve antiterroriste të policisë dhe xhandarmërisë zhvilluan një aksion në 40 provinca turke, shkruan Anadoly Agency.

Në njoftim, theksohet se qëllimi i operacionit është të deshifrojë aktivitetet e kryera nga terroristët e PKK-së brenda Turqisë, ndërsa deri më tani janë arrestuar 718 persona të dyshuar. Midis të arrestuarve ka edhe drejtues të organizatave lokale të Partisë Demokratike të Popullit (HDP).

Policia dhe xhandarmëria gjatë bastisjes së objekteve të banimit dhe afariste konfiskuan sasi të mëdha të armëve dhe dokumentacionit si dhe materiale lidhur me organizatën terroriste të PKK-së.

PKK është një organizatë separatiste dhe terroriste e cila gjendet në listën e grupeve terroriste në Turqi, Bashkimin Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA). Gjatë fushatës shumëvjeçare terroriste kundër Turqisë, terroristët e PKK-së kanë vrarë rreth 40 mijë njerëz.