Denoncimi nga Gramshi – BOOM: Fshati Irmath pa shkollë për fëmijët. Edhe rruga e amortizuar
Emisioni investigativ BOOM në RTV Ora News denoncoi mbrëmjen e sotme mungesën e shkollës dhe rrugës në fshatin Irmath të Bashkisë Gramsh. Fëmijët e banorëve të kësaj zone kanë mbetur pa mësim dhe pse shkolla ka filluar zyrtarisht prej javësh. Fshati gjithashtu vuan mungesën e rrugës.
Emisioni BOOM udhëtoi drejt fshatit Irmath të Gramshit, ku banorët denoncojnë mungesën e shkollës për fëmijët e tyre dhe pse viti i ri shkollor 2017-2018 ka nisur prej 11 shtatorit.
Bëhet fjalë për 11 fëmijë, 8 janë në parashkollor për kopësht dhe 12 fëmijë nga klasa e parë deri në të katërtën.
BOOM ishte atje një ditë të enjte rreth orës 11 dhe pa nga afër që ata fëmijë megjithëse me çanta në shkollë nuk kanë ku të shkojnë pasi nuk ka shkollë.
Prindërit e nxënësve kërkojnë ndërtimin e shkollës.
“Kemi bërë kërkesë për të gjitha por për asgjë nuk na vinë, as për kopështin, as për shkollën”.
” Të rrinë këta fëmijë sot pa shkollë, pa kopësht. Shteti nuk ka bërë asgjë tek ne, është tallur me fshatin tonë”.
“Kam nipërit dhe një mbesë, po bëjnë më shumë se dy javë pa shkollë, pa kopësht. Nuk interesohet asnjeri fare se çfarë kemi ne, ku shkojnë këta fëmijë, në çfarë shkolle hyjnë”.
Gazetarja e BOOM bisedoi edhe me banorin i cili një vit më parë kishte lënë ndërtesën e tij me qira që të funksiononte si shkollë por që këtë vit nuk ka pranuar ta rinovojë.
“Marrëveshja me bashkinë u prish se vjet e kemi lënë 30 mijë lekë të vjetra në muaj. Tani vajta bëra kontratën, mbante dhe banka përqindjen.Në fund të vitit më dhanë 20 mijë lekë. Kryetari i bashkisë më tha që nuk kemi më shumë, po deshe mbaji po nuk deshe çoji në Gribë (fshati tjetër 30 min në këmbë”.
Kryeplaku i fshatit tregon se “shkolla është rrënuar para 25 vitesh. U shemb ajo. Nuk bënin dot shkollë. Kemi bërë një shtëpi me qira në krye të fshatit një orë larg, që andej e bllokuan. Iku kjo familja i futëm këtu, ka 10 vite. Dhe ne kryepleqtë kemi zënë belanë”.
BOOM pa nga afër ambjentet që tashmë janë totalisht të rrënuara por që të paktën kanë shërbyer si shkollë 10 vitet e fundit. Kërkesa e prindërve është që kjo ndërtesë të rregullohet dhe fëmijët të shkojnë në këtë shkollë.
Mësuesja Basire Lila, tregon sesi e organizon një ditë me fëmijët duke qenë se nuk ka ambjente ku ti fusë ata.
Lila: ” Kemi ardhur çdo ditë, jemi përshëndetur me fëmijët dhe më pas kemi qëndruar jashtë atyre ambjenteve që ka qenë vjet si shkollë. Problemi tashmë dihet që familjari nuk e liron me objektin për arsyet e tij. Shpresojmë që problemi për të cilin diskutojmë të gjejë një zgjidhje”.
Vetë mësuesja udhëton deri në fshatin Gribe me furgon dhe nga ky fshat deri në fshatin Irmath ku është e emëruar, ecën në këmbë më shumë se 30 min.
Për problemin e mungesës së shkollës, BOOM iu drejtua bashkisë Gramsh. Nënkryetari, Enver Qosja, shpjegon se çfarë ofon Bashkia.
Qosja: “Problemi që ju keni sjellë është i drejtë dhe bashkia është në dijeni të gjitha problemeve që ka fshati Irmath. Sapo ka filluar viti shkollor dhe ne i kemi kthyer përgjigje edhe kryetarit të fshatit që me të mbaruar problemet e shkollave të godinave kryesore do të merremi edhe me shkollat e vogla siç është shkolla e Irmathit. Ka një ndërtesë që është pronë e bashkisë dhe me pak shpenzime ajo mund të vihet në funksion. Që të mos ngelen fëmijët pa mësim unë përsëri kam komunikuar edhe me Zyrën Arsimore dhe me kryetarin e fshatit që tu thotë banorëve që ne një ambjent me qira të futen fëmijët derisa ne të marrim masa për ta rikonstruktuar këtë objekt që nuk ka nevojë për shpenzime të mëdhaja. Kemi specialistë dhe disa dyer të reja që do ta pajisim këte shkollë dhe ta bëjmë të përshtatshme për nxënësit. Brenda këtij viti kalendarik do ta bëjmë gati për nxënësit pasi bashkia s’ka interes të mbajë ambjente me qira kur është objekti.
Rruga që lidh fshatin me Gramshin jashtë funksioni
Nga qyteti i Gramshit deri në fshatin Irmath janë 40 km që duhet të përshkohen por kjo rrugë është jashtë standarteve dhe e vështirë për tu kaluar.
Nga ky problem duhet thënë që këta banorë i ka izoluar totalisht dhe për këtë shqetësim BOOM bisedoi me kryeplakun Nevruz Mema.
Mema: “Kam 3 vite rresht që kam bërë kërkesën për rrugën, jo sot, jo nesër, s’ka lekë bashkia. Për zgjedhje ishte deputeti dhe pyeti Enver Qosen e bashkisë i ke letrat gati. Ai u përgjigj qe shkolla fillon në shtator ndërsa rruga tani (qershor). Para votimit erdhën 2 fadroma, një e prishur dhe tjetra e rregullt për të zënë sytë. Filluan nja dy ditë para votimeve dhe më pas ikën se bëheshin gati për votimet. Në total nuk u bë 10 ditë punë. Ajo rrugë ka ngelë në mëshirë të Zotit”.
Dhe e tillë është rruga që të çon në fshatin Irmath, totalisht e rrënuar, e prishur, e pamundur që të kalohet me një automjet të vogël por vetëm në foristradë.
Në lidhje me kërkesën e kryeplakut dhe banorëve ne sërish u drejtuam në Bashkinë Gramsh ku nënkryetari Enver Qosja thotë se nuk është rakorduar me firmën përfundimi i rrugës, bëhet fjalë për pastrimin e saj.
Rikonstruksioni i rrugës duket se është në plane të largëta për shkak të mungesës së fondeve.
Enver Qosja: “Bëjmë pastrime çdo verë për tu ardhur në ndihmë banorëve që jetojnë në fshat që tu pastrojmë rrugët që të hyjë traktori, makina shirëse për grurin dhe këto janë rrugë sezonale. Ne i riparojmë por një shi që bie i vë përpara. Megjithatë ne nuk e kemi harruar dhe e kemi në mendje zgjidhjen e problemit të Irmathit. Do çojmë përsëri makina, mjete. E para njëherë nuk është rakorduar me firmën përfundimi i rrugës. Kryetarja ka insistuar të bëhen verifikime nëse është kryer puna në bazë të atij preventivi apo jo. Firma nuk është likujduar për pjesën e pastrimit. Kryetarja ka kërkuar ngritjen e një komisioni për të verifikuar nëse është zbatuar ajo që ishte në preventiv. Flasim për pastrime sepse asfalt nuk bëhet fjalë. Çfarë mund të bësh me 6-8 milionë lekë të vjetra. Në 5 km, 6 milion lekë çfarë do të bësh? Do ti pastrojmë dhe mirmbajmë derisa të krijohet mundësia për ti riparuar”.