Kryetari i grupit parlamentar për PS-në, Taulant Balla hodhi akuza të rënda ndaj kreut të opozitës Lulzim Basha. I ftuar sot në emisionin “5 pyetje nga Babaramo” në Report TV, Balla deklaroi se kryetari i PD-së, Basha u paraqit sot në një drekë me deputetët holandezë që ndodheshin në Shqipëri pavarësisht se emri i tij nuk ishte në protokoll.
Deputeti Balla sqaroi se Basha bëri të njëjtën gjë që bëri edhe në Gjermani, duke hedhur baltë ndaj Shqipërisë.
“Më vjen keq edhe për një incident që ka ndodhur sot, që ka të bëjë me një përfshirje në drekën e deputetëve, ndërkohë që sot në drekë është paraqitur edhe kryetari i Partisë Demokratike, që nuk ishte njoftuar më parë për të marrë pjesë. Në listë ishin nga tre deputetë nga mazhoranca dhe opozita, por Lulzim Basha në atë drekë, bëri atë që bëri dhe në Bundestag, është turp,” deklaroi Balla duke nënkuptuar baltosjen e Shqipërisë nga ana e liderit të opozitës.
Lidhur me procedurën e Holandës që është skeptike për hapjen e negociatave me Shqipërinë, Balla tha:
“Ka një mbështetje të madhe në Holandë sa i takon qëndrimit të saj brenda në BE, ndërsa për zgjerimin e BE-së jo të gjithë janë dakord. Unë jam shpresëplotë, që kryeministri Rutter do të marri qasjen pozitive të parlamentit holandez. Por përgjegjësia e gjithë kësaj është e qeverisë. Mendoj që shumë deputetë apo vendimmarrës holandezë janë më shumë të ndikuar nga lajmet e mediave edhe në Holandë, se sa nga realiteti shqiptar,” shtoi Balla.