Një 36-vjeçar shqiptar ka humbur jetën në Gjermani, si pasojë e një atentati që iu bë më 28 prill.
Sipas mediave vendase, shqiptari gjatë kësaj kohe ka qenë i shtruar në spital, por nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të rënda.
Ngjarja ka ndodhur në Wuppertal, ndërsa ishin qytetarët ata të cilët njoftuan policinë pasi dëgjuan të shtënat me armë.
Shqiptari, identiteti i të cilit nuk bëhet ende i ditur, u gjet i shtrirë në rrugë nga autoritetet, ndërsa pak më tutje ishte automjeti i tij i ndaluar në mes të rrugës.
Nga hetimet është mësuar se shqiptari ka qenë brenda makinës së tij kur u qëllua me armë. Edhe pse mbeti i plagosur, ishte në gjendje të dilte nga automjeti. Pranë tij u gjet edhe një armë, për të cilën nuk ka të dhëna se kujt i përket.