Policia dhe prokuroria e qytetit bregdetar të Durrësit ngriti menjëherë një grup hetimor menjëherë pas atentatit të mesditës të së enjtes në këtë qytet ku mbetën të plagosur, kunati i Lul Berishës, Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçe. Kur kanë kaluar 24 orë nga atentati mafioz në qytetin bregdetar të Durrësit, i cili fatmirësisht përfundoi pa viktima, tre janë pistat e ngritura nga policia. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se pistat e hetimet janë përqendruar tek trafiku i drogës, fajdet në qytetin e Durrësit si dhe konfliktet e vjetra.
Kjo e fundit është dhe një nga pikat kryesore ku po hetohet, pasi dy të plagosurit janë akuzuar për disa ngjarje të ndodhura në qytetin e Durrësit. Madje Plarent Dervishaj u dënua në mungesë me burgim të përjetshëm për katër vrasje nga Gjykata për Krime të Rënda, vendim i cili u prish nga Gjykata e Lartë në vitin 2012 duke u rikthyer dhe njëherë për gjykim.
“Duke i analizuar dhe vlerësuar me kujdes të gjitha aktet dhe provat e mësipërme, nëpërmjet ‘cross-examination’, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë konstaton se, deklarimet e bëra në seancë gjyqësore nga i gjykuari Dritan Coli, në lidhje me pjesëmarrjen e të gjykuarit Plaurent Dervishaj, si bashkëpunëtor, në rolin e ekzekutorit, në kryerjen e veprës penale të ‘Vrasjes me paramendim’, në bashkëpunim në dëm të shtetasit Dritan Sallaku, si dhe të veprave penale të ‘Vrasjes me dashje’, në bashkëpunim, ngelur në tentativë, në dëm të shtetasve Ilir Nelaj dhe Agim Rexhepi, mbeten të vetme dhe nuk përputhen apo nuk shoqërohen me asnjë provë tjetër direkte apo indirekte”, thuhej në vendimin e Gjykatës së Lartë, arsyetim i përdorur dhe në vrasjet e tjera, për të cilat akuzohej Dervishaj. Pas kthimit të çështjes për rigjykim në vitin 2015 Apeli i Krimeve të Rënda rrëzoi shkallën e parë duke e shpallur të pafajshëm Plarent Dervishaj i cili akuzohej për vrasjen e të paktën 4 personave dhe plagosjen e tre të tjerëve.
Në lidhje me atentatin e djeshëm mësohet se grupi hetimor ka shkuar në spitalin e Durrësit dhe ka marrë në pyetje 47-vjeçarin. Burime thonë se përpara hetuesve Plaurent Dervishaj ka deklaruar se nuk i ka parë autorët në momentin që kanë qëlluar në drejtim të makinës së tyre. Ndërsa pyetja e Juljan Meçes do bëhet në një moment të dytë, pasi të stabilizohet gjendja. Deri tani nuk ka asnjë autor të identifikuar, ndërsa janë shoqëruar mbi 15 persona që kanë dijeni për ngjarjen. Plaurent Dervishaj, 47 vjeç, ka marrë një plumb në këmbë dhe është jashtë rrezikut për jetën ndërsa Mecaj, 36 vjeç ka marrë tre plumba, një në kokë, një në shpatull dhe një në këmbë. Pasi mori ndihmën e parë mjekësore nga bluzat e bardha në Durrës, mëngjesin e djeshëm ai u dërgua në kryeqytet për mjekim më të specializuar. Mësohet se ai ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Atentati
Dervishaj dhe Meçe, personazhe të njohura në qytetin bregdetar, por edhe nga Policia lokale ndodheshin nën shoqërinë e njëri-tjetrit, duke lëvizur me makinën e Dervishajt. Në momentin që ishin duke u futur në rrugën e re të zonës së ish-Kënetës, persona ende të paidentifikuar që ndodheshin në një makinë hapën zjarr duke qëlluar në të katër anët mjetin ku ndodheshin Meçe dhe Dervishaj. Ata qëlluan në pjesën e përparme të mjetit dhe në pjesët anësore, duke menduar se kishin kryer objektivin. Duke qenë në një zonë të zbuluar, autorët u larguan me shpejtësi, duke mos u siguruar nëse personat që ndodheshin në makinë ishin vrarë. Nga pjesa e përparme, automjeti me targë AA 005 MJ është bërë shoshë nga plumbat në pjesën e xhamit, ndërsa Meçe e Dervishaj kanë qenë në sediljet e para.
Në vendin e ngjarjes mbërriti Policia, e cila nisi menjëherë nga hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes, ndërsa u ngritën disa pika kontrolli në kryqëzime dhe rrugët kryesore hyrëse e dalëse të qytetit bregdetar, me qëllim arrestimin e autorëve. Gjithashtu u sekuestruan rreth 8 kamera sigurie në zonën ku ndodhi ngjarja dhe këqyrja e tyre do hedhë më shumë dritë në zbardhjen e plotë të atentatit ndaj kunatit të të fortit të Durrësit./Gazeta SOT