Nga Alfred Papuçiu
Për t’i shërbyer Atdheut, duhet të kesh një Atdhé tëndin. Nganjëherë, njerëz që vendosen diku nëpër botë, duket se me kalimin e viteve sikur nuk kanë atdhé ose në pasaportat e tyre shkruhet “apatride” (pa kombësi ligjore). Megjithatë, edhe ata kanë një vend nga kanë ardhur, ku kanë lindur të parët e tyre, mbajnë të gjallë gjuhën e stërgjyshërve të tyre. Të tillë janë arbëreshët e Italisë, arvanitasit e shumtë në gjithë Greqinë, shqiptarët që kanë lagjen e tyre në Zara të Kroacisë, shqiptarët kudo në botë: në Sunio, Largo, Toronto, Stamboll, Las Vegas, Nju Jork, Nju Xhersi, Gjenevë, Romë, Kajro, Stokholm, Berlin, Nairobi, diku në Rusinë e largët, në Aleksandri, Arabinë Saudite, Argjentinë e kudo në botë. Atyre u kujtohet fshati ku kanë jetuar, liqeni ku janë larë, rrjedha e lumit që e ndiqnin deri ku e kishte burimin, deti me rërën e jodtë ku laheshin në ujin e kaltër dhe të pastër, fusha ku mbillnin grurë, netët kur dëgjonin nën dritën e hënës zhurmën e jetës dhe të gjinkallave, megjithëse tani jetojnë diku buzë oqeanit apo diku pranë alpeve. Atyre u vjen mirë kur edhe fëmijët e tyre shqiptojnë fjalë shqip, të transmetuara brez pas brezi, paçka se nganjëherë shqiptimi gjatë viteve ka ndryshuar.
ATJE KU SHQIPTARËT PRESIN LIBRA NGA ATDHEU
A ka kujtim më të bukur për mua kur takova rastësisht para disa vitesh atë arbëreshin e Gjenevës, i cili më foli shqip, paçka se jetën e tij, fëmijërinë e tij e ka kaluar në fshatrat arbëreshe të Italisë dhe jeta e solli në Zvicër ku jeton me gjithë familjen? Ashtu si ai shqiptari që ka marrë nënshtetësinë zvicerane, por që njëkohësisht ka edhe pasaportën e vendit ku ka lindur, Shqipërisë, pra, gëzon dyshtetësinë dhe është mirënjohës ndaj vendit që e ka pranuar, por edhe krenar që fëmijët e tij do ta dinë se nga kanë ardhur. Ashtu siç e hanë bukën që u përgatit bukëpjekësi apo presin me mall letrat që u sjell postieri nga të afërmit e tyre nga Shqipëria apo Kosova, apo marrin herë pas here nga ndonjë mik ndonjë shishe të vogël rakie Perle apo Përmeti, ashtu i presin edhe librat që u dërgon “Onufri”, “Toena”, “Dituria”, “Pegi”, “Botimet Kokona”, “OMSCA” apo shtëpitë e tjera botuese nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, botime që ua kanë zili edhe botuesit në Perëndim. Ashtu i presin dhe shqiptarët atje diku në një qytet të Zvicrës, librat që u jep bashkëkombësi që nuk mungon të shkruajë edhe për Atdheun e tij. Këtë ndjeva edhe vetë këto ditët e fundit, kur miku im nga Tirana më dërgoi disa libra të rinj, të cilat i lexova me një frymë. Një prej tyre ia dhashë një mikut tim, Filipit, i cili është me origjinë nga Poliçani i Shqipërisë. Më poshtë, të dashur lexues, më lejoni kësaj radhe t’ju tregoj diçka për familjen e tij dhe për dëshirën e tij të madhe që ka pasur të shkonte me t’ëmën për të parë vendin ku ka lindur gjyshja e tij.
TAKIM ME BASHKATDHETARIN NGA POLIÇANI
Krejt rastësisht, ashtu siç ndodh shpesh kur je jashtë vendit tënd, nisesh diku pa parashikuar se ku do të përfundosh. Ashtu siç të thotë një mik: kur je i lodhur, shko midis pemëve të një pylli apo buzë liqenit, dëgjo muzikë popullore nga vendi yt, mos ki frikë nga i ftohti i dimrit, ji më i fortë se vuajtjet, shqetësimet, brengat, bujar si një pemë mbushur me mollë, ik diku pa kërkuar diçka, prano vetëm atë që të jep e ofron jeta e përditshme, largoju “qoftëlargëve” dhe afrohu te njerëzit që e gëzojnë jetën. Te njerëzit e kombeve të ndryshëm, që kanë të njëjtin karakter si ne mesdhetarët. Pra, krejt rastësisht, një ditë takova në rrugët e një qyteti diku në Europë, Filipin. Nuk e di, por me shikimin tim i dalloj bashkëkombësit kudo që janë në Gjenevë apo diku në Europë apo edhe në SHBA. Edhe për Filipin e qeshur dhe me faqe të kuqe, për një çast m’u duk se kisha përpara një shqiptar. Por, ai nuk dinte asnjë fjalë shqip. Megjithatë, sapo më pyeti, i thashë se jam shqiptar. Ashtu si ishte, më shtrëngoi dorën fort dhe më tha: “Edhe unë e kam origjinën nga Poliçani i Shqipërisë”.
RRËFIMI I HISTORISË SË FAMILJES
U ulëm rreth një tavoline dhe ai filloi të më tregojë ashtu shkoqur, siç tregojnë vetëm shqiptarët, historinë e familjes së tyre. “Familja Fotos,-filloi tregimin e tij Filipi,-ka qenë pronare e një prone të madhe dhe kishte shumë dele dhe dhi në Poliçan. Ajo nxirrte qumështin dhe prodhonte djathin prej tyre, djathë i cili shkonte pastaj në gjithë Europën. Në fillim të shekullit 20-të, pas luftës së viteve ‘14-‘18, Kosta Fotos (babai i gjyshit tim) ka luajtur një rol të rëndësishëm në jetën politike dhe ekonomike të Epirit, duke qenë në krye të qeverisë provizore. Gjyshi im nga nëna, Nikolas Fotos, u martua me Marina Papakosta dhe pas studimeve për mjekësi në Kostandinopul dhe Paris, u vendos në Beirut, në Liban, ku themeloi një klinikë edhe një shkollë. Ai pati tre fëmijë, ndër të cilët nënën time, Rhea, e cila u martua me tim atë, Zhorzh, grek nga Egjipti. Kur plasi lufta civile në Liban, në vitet ‘70-të, ne u kthyem në Greqi. Nga të tre fëmijët, Irena, motra ime, shkoi në Amerikël; vëllai im, Aleksandër, në Arabinë Saudite dhe unë, siç e sheh, jam këtu. Kam zhvilluar tregti me shumë vende dhe kam dëshirë që të shkëmbej edhe me shqiptarët, prej nga e ka origjinën gjyshja ime nga nëna, nga Poliçani. Kam marr vesh se shtëpia e gjyshes sime ekziston akoma në Poliçan. Këtë ma kanë thënë edhe dy shqiptarë që janë vendosur në Greqi dhe që janë njerëz shumë të mirë, punëtorë, krenarë që janë shqiptarë dhe që herë pas here ndihmojnë edhe familjen e tyre në Poliçan. Nuk e di, por kam shume respekt për shqiptarët, pasi janë njerëz të ndershëm, punëtorë dhe mbi të gjitha me karakter”.
Pastaj ai më foli edhe për familjen e gjyshes së tij, Papakosta, e cila ishte një nga familjet e mëdha në Poliçan, në fillim të shekullit 19-të dhe rrugët e jetës shumë anëtarë të asaj familje i detyruan të shkojnë në Aleksandri, në Odesë dhe Kostandinopul, ku u morën me tregtinë ndërkombëtare dhe sidomos me atë të tekstilit
REMINISHENCË ME ARKITEKTIN E SHQUAR FRANKO NGA ZARA E KROACISË
I fola Filipit për historinë e kombit tonë, për gjuhën tonë, për Nënë Terezën, për arkitektin e shquar, Franko nga Zara e Kroacisë që ndodhet diku në Europë, por që nuk e harron origjinën e tij shqiptare dhe që kur shkon te vendlindja e të atit, njerëzit përshëndeten në shqip, për shqiptarët e Shqipërisë dhe të Kosovës, dhe ata që rruga e jetës i ka detyruar përkohësisht të punojnë e jetojnë jashtë vendit amë. I thashë se unë e kam për nder që ruaj jo vetëm përkatësinë time si shqiptar, por edhe mbaj si gjë të çmuar, si edhe ai, pemën gjenealogjike të familjes sime, të ndërtuar me aq kujdes nga im atë i shtrenjtë dhe i paharruar, Tuni, babai i të cilit kish krijuar lagjen “Liri” në Fier. I thashë Filipit se prefekti i atëhershëm nga Kosova, Tafil Boletini, i kishte dhënë leje gjyshit tim, Peçit, të ndërtonte një dyqan për të mbajtur me bukë pesë vajzat e tij dhe për të shpënë në shkollë djalin e vetëm të familjes. I dhashë fjalorin frëngjisht-shqip që miqtë e mi, Irena dhe Fatmir Toçi të “Toenës”, ma dërguan si dhe “Përrallat e Zvicrës” (botim dygjuhësh frëngjisht-shqip i “Toenës”) të akademikut Bedri Dedja, që pata fatin t’i përkthej në frëngjisht. Filipi mbeti ashtu i mallëngjyer, shihte librat dhe më përqafoi ashtu siç përqafojnë shqiptarët. Shfletonte librin e Bedri Dedes, lexonte parathënien që unë kisha shkruar për të dhe pas një çasti, ashtu papritur, formoi disa shifra te celulari i tij dhe nga receptori dëgjohej larg zëri i një gruaje. Ishte e ëma, diku larg, dhe Filipi i thoshte se kam takuar një shqiptar që shkruan për vendin e tij, që përkthen libra të shkrimtareve nga Shqipëria dhe Zvicra, i cili ka dëgjuar për Poliçanin e gjyshes Marina. Ma kaloi dhe mua celularin dhe unë fola me atë grua të moshuar, e ëma e së cilës kishte lindur në Poliçan të Shqipërisë. U mallëngjeva kur ajo më fliste me aq dashuri e respekt për shqiptarët që kishte takuar kudo që kishte jetuar.
VENDIMI PËR NJË VIZITË NË VENDLINDJEN E TË PARËVE
U takuam përsëri me Filipin dhe ai, ashtu i entuziazmuar, më tha: “Kam vendosur të shkoj nga muaji mars, bashkë me nënën time në Poliçan. A do më presin mirë, pasi do vijë edhe nëna ime. Duam të shkelim tokën ku ka lindur nëna e saj, por edhe të kemi mundësi ta restaurojmë shtëpinë ku ajo ka lindur”.
I thashë se të gjithë njerëzit e mirë, qofshin ata me origjinë shqiptare apo edhe ata që vijnë si turistë dhe e duan bregdetin tonë, malet tona, fushat tona, muzikën tonë popullore të Bujar Qamilit apo Vaçe Zelës, të Ermira Baballiut, të Dokles, këngët e së cilës i kompozonte ato ditë nëntori shoku im, kompozitori i paharruar Kastriot Gjini, janë të mirëpritur. Shtova se njerëzit në Shqipëri janë mikpritës, siç u treguan mikpritës gjatë luftës së padrejtë në Kosovë, kur mijëra shqiptarë nga Kosova martire u detyruan të largohen përkohësisht nga toka e tyre amtare.
M’u kujtuan dhe i thashë Filipit fjalët e muzikologut zviceran Marcel Cellier, i cili në një nga emisionet e “Radio Suisse Romande” duke marrë në intervistë gjatë Festivalit Folklorik Kombëtar një grup nga shqiptarët e Amerikës, në nagran e tij kishte regjistruar: “Papritur, pas meje dëgjoj të flitet për emra që janë tipikë amerikanë. Shkoj në atë drejtim dhe menjëherë bëj një pyetje: ‘Nga keni ardhur?’. -Ne jemi shqiptare nga Detroiti i SHBAse, më përgjigjen ata. ‘A e ndjeni veten si në shtëpinë tuaj këtu’, i pyes. ‘Jo, këtu jemi në shtëpinë tonë’, më përgjigjen ata,- thotë Marcel Cellier në emisionin e tij të bukur për Shqipërinë.
Filipi, ashtu i mallëngjyer, pasi kish mësuar disa fjalë shqip nga fjalori që i dhashë, u shpreh shkurt dhe bukur: “Faleminderit mik! Do shkoj në Poliçan te shtëpia e gjyshes”.
Diku aty afër dëgjohej një melodi e lehtë e Andrea Boçelit dhe atje larg po binte muzgu në qytetin mikpritës.