Pas denoncimit të kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha për lidhje të Durim Keçit me Ramën, i kapur një ditë më parë në Durrës, ka folur dhe gazetari Artan Hoxha. Në emisionin “Opinion”, Hoxha është shprehur se Keçi ka lidhje me politikën, dhe ekziston mundësia e mosekstradimit të tij drejt shtetit fqinj, pasi atje është i dënuar me 9 vite burg.
“Ngjarja e Elbasanit, ajo histori do të ishte harruar nëse nuk do të publikoheshin videot. Lajmin për arrestimin e Durim Keçit e kam denoncuar unë. Është e vërtetë që ky person ka një dënim nga Italia. Fotoja që është me Blendi Klosin është në fushatën e vitit 2013.
Në momentin që skuadra operacionale e ka shoqëruar, persona me imunitet kanë qenë dje atje. Nuk dihet se pse kanë shkuar ata atje.
Lista e personave në kërkim nga Interpol asnjëherë nuk publikohet. Ky ka tre vite i dënuar dhe ka qenë qytetar i lirë. Me të drejtë zoti Basha thotë se mund të mos ekstradohet. Të gjithë ata që janë “bosë” dhe që kanë lidhje me krimin nuk ekstradohen”, tha Hoxha.