Policia e Shtetit ka marrë një operacion të gjerë së fundmi në qytetin e Shkodrës i ashquajturi operacioni “Oaz”. Interesant është fakti që uniformat blu kanë prekur dhe fushën e sportit, pasi ndër të tjera janë vënë në pranga persona për “organizim të llotarive të palejuara”. Në prangat e Policisë ka rënë as më shumë e as më pak, por vetë trajneri i kombëtares së femrave të Shqipërisë, Amir Grima. Ky i fundit u arrestua në Shkodër.
Arrestimi i trajnerit të kombëtares së femrave për organizim të llotarive të palejuara është një goditje e madhe dhe për këtë ekip, pasi po merrte rezultate të mira me trajnerin Grima. “Mbi të arrestuarit e grupit rëndojnë disa akuza, si organizimi i llotarive sportive të palejuara etj.”, – shkruhet në deklaratën e Policisë.
Ai që ka denoncuar prej vitesh Grimën ka qenë pikërisht Rudi Vata. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, ish-trajneri i Vllaznisë tregon se si Grima ka ndikuar në dëm të tij dhe klubit Shkodran.
“Dihet pazari i kësaj që ka ndodhur. Grima, bashkë me Kujtim Shabën (ish-drejtues te Vllaznia) janë organizuar për dëmtuar punën time, duke ndikuar në humbjen e Vllaznisë ndaj Pogradecit në vitin 2012, kur unë kam qenë trajner. Grima ka qenë protagonist edhe në ndeshje të tjera, në bashkëpunim me FSHF dhe bashkinë Shkodër. Faktet janë pa fund, por shteti ynë dhe FSHF nuk i trajton me seriozitet çështje të tilla kaq delikate”, – ka thënë Vata për gazetën.