Policia ka arrestuar dy inspektorë pyjesh në Durrës, pasi kanë konstatuar një sipërfaqe të shpyllëzuar në Ishëm dhe kanë gjetur rreth 100 fidanë kanabis gati për kultivim.
Gjithashtu është proceduar në gjendje të lirë edhe kryeplaku i fshatit Kuraten.
Tre shtetasit akuzohen se nuk kanë kryer detyrën për kontrollin e zonës, pasi nuk kanë konstatuar dëmtimin e pyllit, hapjen e tokës dhe fidanët narkotikë që do kultivoheshin në këtë sipërfaqe.
Njoftimi i policisë:
Vijon kontrolloi masiv i territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.
Vihen në pranga 2 inspektorë të pyjeve në Njësinë Administrative Ishëm, si dhe procedohet në gjendje të lirë kryeplaku i fshatit Kuraten.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të kontrollit për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, gjatë kontrollit në territorin e fshatit Kuraten, Njësia Administrative Ishëm, Durres, kanë konstatuar një sipërfaqje të shpyllëzuar dhe kanë gjetur rreth 100 fidanë kanabis gati për kultivim në këtë sipërfaqe të shpyllëzuar.
Në vijim të veprimeve të kryera u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
R.S. dhe S. D., banues në Ishëm, me detyrë inspektor pyjesh në Njësinë Administrative Ishëm.
Si dhe u procedua në gjëndje të lirë kryeplaku i fshatit Kuraten, shtetasi U. D.
Shtetasit e mësipërm nuk kanë kryer detyrën për kontrollin e zonës, pasi nuk kanë konstatuar dëmtimin e pyllit, hapjen e tokës dhe fidanët narkotikë që do kultivoheshin në këtë siperfaqe.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzim i krimit”.