Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka sulmuar sot nga Lezha kryeministrin Rama, për të cilin tha se shkatërroi skemën e subvencioneve për fermerët.
Basha tha se Ramës i mjafton një selfie me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, por që nuk do t’ia dijë për fermerët që detyrohen të hedhin prodhimet e tyre.
“Vijnë prodhime nga Serbia, nga Maqedonia e Veriut. Fermerët tanë i hedhin në kosh, s’kanë ku t’i çojnë. Por Rama s’do t’ia dijë, atij aq i duhet, një selfie me Vuçiç. Për fermerët që hedhin prodhimet e tyre nuk do t’ia dijë”, tha ndër të tjera Basha.
Kryedemokrati tha po ashtu se Rama ka humbur instrumentin kryesor me të cilin mori pushtetin, që është shkurajimi i njerëzve pas ardhjes së tij në pushtet.
“I ka ik truri komplet. Pse? Sepse nuk po i funksionon më instrumenti kryesor më të cilën ka marrë pushtetin, shkurajimi i njerëzeve, t’i heqë shpresën, të thotë se nuk ka më mirë se ky sharlatan, të ofrojë një spektakël bajat në mediat e blera. Basti i tij ka qenë frikësimi i njerëzve, kush del mbron të drejtat e tyre, janë shpellarë, studentët në protestë janë ngelës, sipërmarrësit janë njerëz që nuk meritojnë të dëgjohen. Shkurajimi i shqiptarëve ka qenë formula mbi të cilin është ndërtuar bashkëpunimi i Edi Ramës me krimin. Por basti i Ramës për të shkurajuar shqiptarët, humbi.
Përdorëm çdo instrument nga komisionet parlamentare, që do të vërtetonin se Edi Rama me Gjiknurin, Dakon, Xhafën, etj, u përfshinë në ndërmarrjen më kriminale. Shndërruan fushatën elektorale në fushatën e korrje shirjeve të krimit, duke instaluar bandat kriminale në vend. Ky grusht njerëzish janë sot autorë të përjashtimit të rinjve nga e drejta për një arsim të lartë cilësor. Duke i dorëzuar të gjithë industrinë, tregtinë, një grushti oligarkësh që sot helmojnë popullin vetëm për të mbushur xhepat e tyre dhe për t’i dhënë padronit të tyre pjesën e ryshfetit.”- u shpreh Basha.