Referuar deklaratave të Metës për paketën “Anti-KÇK”, Zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, e krahasoi gjuhën e presidentit me atë të “të fortit” të lagjes. Duke qëndruar në të njëjtën linjë, ai shtoi më tej se gjuha e përdorur nga Meta është gjuhë dhune, gjuhë rezistence militare, gjë që nuk i përshtatet për postin që mban.
Ai tha në emisionin “7 pa 5” se Kreu i Shtetit e mendon Presidencën si organizatë. “Edhe Metës i kanë thënë shpesh që të vetëdorëzohet, dhe nuk e ka bërë. Deklaratat e presidentit janë deklarata me një gjuhë që zakonisht e kanë të fortët e lagjes, ose këta të fortët që ka në objekt pune OFL.
Kjo është gjuhë dhune, gjuhë rezistence militare gjë që nuk i shkon një Presidenti Republike. Edhe kur thotë kala, Presidenca nuk është organizatë, është një institucion që ka Presidenti i Republikës.
Nuk është një institucion kolektiv. Ata të tjerët janë punonjës të zakonshëm të shtetit. Z. Meta kështu i mendon gjërat, gjithmonë e mendon veten pjesë të një organizate”.
Koçi komentoi edhe qëndrimin e opozitës për paketën “Anti-KÇK”. Sipas tij, ligjet që luftojnë krimin, duhen mbështetur dhe jo atakuar ashtu siç bën opozita.