Kuvendi ka shpallur vakancën, pasi Alqi Bllako ka lënë mandatin e deputetit. Nënkryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj, i ka njoftuar deputetëve në seancën e sotme, se mandati i deputetit për Alqi Bllakon ka përfunduar pas kërkesës së tij për ta lënë mandatin, e për t’iu dorëzuar drejtësisë. Kuvendi shpall vakancën, e do ia njoftojë KQZ-së për plotësimin e saj.
“Ju njoftoj që deputeti Alqi Bllako ka dorëzuar në Kuvend deklaratën me të cilën vë në dijeni Kuvendin, që me vullnet të plotë dorëzon mandatin. Kur deputeti heq dorë referuar nenit 71 të Kushtetutës, mandati i tij mbaron. Kuvendi shpall vakancën, e ia njofton vakancën KQZ për plotësimin e saj”, tha Felaj.
Një ditë më parë, Alqi Bllako dorëzoi mandatin e deputetit, pasi prokuroria e posaçme kërkoi arrestimin e tij. Në Kuvend pritet të futet deputeti Pandeli Majko, i cili nuk arriti të fitojë mandatin. Ish-deputeti nuk arriti të thyejë herësin duke qenë i renditur i 19-ti në listën e Qarkut të Tiranës, e për pasojë mbeti jashtë politikës aktive.