Aleati i Ramës, avokati Spartak Ngjela ka komentuar situatën politike në vend. Ngjela duket optimist teksa është shprehur se opozita do të shkojë në Kuvend dhe do të votojë Vettingun.
Me anë të një statusi në Facebook, avokati Ngjela shkruan se zgjedhjet nuk kanë asnjë rëndësi për SHBA-në nëse votohet Vettingu dhe shtoi se opozita do të shkojë ta votojë Vettingun në Kuvend, pasi Berisha në këtë rast nuk mund të bëjë asgjë, siç nuk bëri Ivanov në Shkup.
MESAZHI I NGJELËS:
Pyetja që ngrihet sot është kjo:
Çfarë do bëjë Sali Berisha tani pasi politika amerikane kuptohet se ia ka hapur letrat, njëlloj si Ivanovit në Shkup?
Asgjë nuk mund të bëjë.
Do shkojnë të gjithë në Parlament që të votojnë vetingun.
Dhe duhet të kenë kujdes, të mos shtyhen kush të hyjë i pari, por të hyjnë me radhë: pas Saliut, sigurisht.
Po për zgjedhjet?
Ai është akti i dytë i filmit, dhe jashtë interesit amerikan: i pari është vetingu.
Dhe logjika politike është kjo: nëse nuk votohet vetingu që tani, më mirë të mos jetë PD në zgjedhje, dhe sigurisht që nuk do të pranohet më nga KQZ se i ka humbur afatet.
Nëse votohet vetingu: zgjedhjet për Amerikën nuk kanë më rëndësi, se shumica e këtyre që po kacafyten me njëri-tjetrin nuk do të jenë më në politikë pas vitit 2017.
Kjo është situata aktuale.