Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka reaguar në seancën e sotme plenare pas akuzave të ngritura nga presidenti Ilir Meta ndaj kreut të KED-së, Ardian Dvorani. Në një konferencë për shtyp dhënë pak ditë më parë, Meta e quajti Dvoranin një “ushtar të verbër të partisë”.
Pavarësisht kompetencave që mbart roli i Presidentit, Balla i bën thirrje Metës që të mos përgojojë me pa të drejtë drejtues të institucioneve të vendit. Teksa kujton faktin që Dvorani ka qenë një ndër pesë gjyqtarët që kanë gjykuar një dosje penale të Presidentit Meta.
“Meta po bën ç’është e mundur për të frenuar reformën në drejtësi, rasti i fundit është i Gjykatës Kushtetuese, që do të dështojë. Dua t’i bëj sot një apel presidentit, është e papranueshme që në cilësinë e kryetarit të shtetit të përgojojë me pa të drejtë drejtues të institucioneve të tjera të vendit.
Kushtetuta e ka vendosur në majën e piramidës institucionale, por nuk ndodh që Presidenti të marrë nëpër gojë kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Edhe pse në rastin e Dvoranit, Meta duhet të jetë i fundit në vend për t’u marrë me të. Sa kohë që Dvorani ka qenë një prej pesë gjyqtarëve të dosjes në ngarkim të Metës. E që në atë dosje, të paktën Dvorani ka pas mendim kundër me katër anëtarët e tjerë të gjykatës.
E padrejtë për këdo, por më shumë për ne që kemi mandate përfaqësuese, apo presidenti që të përdorë institucionin e Presidentit për të atakuar një iks-gjyqtar që ka gjykuar një çështje në ngarkim të tij e që për rastin në fjalë mund të ketë kërkuar edhe burg”, tha Balla.
Numri dy i Partisë Socialiste fajësoi kreun e shtetit për pengimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese.
“Kujt po i kërcet për fletoren e Dvoranit”, Meta shpërthen ndaj kreut të KED