Policia ka reaguar përmes një njoftimi zyrtar në lidhje me aksidentin e kësaj të diele, ku gazetarja Mira Kazhani përplasi një këmbësor në autostradën Tiranë-Durrës.
Policia e Tiranës bën me dije se këmbësori ka qenë në tentativë për të kaluar nga njëra anë e rrugës në tjetrën, duke i dalë makinës para, ndërkohë që gazetarja ndodhet në ambientet e Drejtorisë së Policisë në kryeqytet, ku po pyetet lidhur me rrethanat e aksidentit.

“Rreth orës 15:10, në autostradën “Tiranë-Durrës” mjeti me drejtuese shtetasen E.K., (Ermira Kazhani) është përfshirë në aksident me një këmbësor ende të paidentifikuar, i cili ndodhet në spital nën kujdesin mjekësor.
Nga veprimet e para, dyshohet se këmbësori në tentativë për të kaluar nga një krah i autostradës në tjetrin i ka prerë rrugën automjetit. Drejtuesja e mjetit është vënë në dispozicion të organeve hetimore dhe ndodhet në ambientet e Policisë”, njofton policia.











