E enjte, 21 Tetor, 2021
8.5 C
Tirana

Afganët mes nesh dhe Perëndimit

Nga: Mentor Nazarko

Sot, duke kryer detyrimin e vet ndaj afganëve properëndimorë, Shqipëria (por dhe Kosova) bën mirë që e rrit prestigjin e vet ndërkombëtar, si ndër të parat shtete që i pranon këta njerëz. Shtetet që nuk i kanë pranuar, të prekur nga emigracioni i paligjshëm, e kanë frikë se pranimi i tyre do të ishte si sinjal për ardhje të tjera të paligjshme, ndërkohë që Shqipëria nuk e ka një problem të tillë.

Mirëpo, ka dhe një moment tjetër që ndoshta s’ka pasur vëmendje shtëpiake: shkalla e integrueshmërisë, a përputhjes sociale të të ardhurve. Kush vjen, janë të kualifikuar profesionalisht, nga puna me ushtrinë apo administratorë amerikanë dhe perëndimorë, njerëz që kanë jetuar pajtueshëm me ta. Kanë zanate, aftësi, që i bëjnë të përshtatshëm për shoqëritë tona: nga punonjësit e komunales, te përkthyesit, shoferët, agjentët sekretë apo aktivistët socialë. Nuk janë njerëz që vijnë direkt nga malet e Afganistanit dhe zbresin në Europë, ndonëse frika nga reagimi taleban i bën të duken (si ndodhi me fatkeqët që ranë nga fluturaket) se nuk e njohin avionin apo realisht nuk kanë parë detin. Me gjasë, për të mos i marrë mësysh, kanë të drejtë dhe ata që vënë gishtin te rreziku i deridikushëm që disa prej afganëve nga kontakti i menjëhershëm me shoqërinë tonë mesdhetare, mund të yshten për akte përdhunimi etj. Duhet besuar që ata janë të përkohshëm te ne, por edhe nëse një pjesë e tyre qëndrojnë, ne nuk jemi shoqëri që na rrezikohet përbërja etnike nga ardhja e tyre. Sigurisht, ka një kontrast: Amerikës i duhet 1 vit të shqyrtojë përputhshmërinë e tyre për viza emigrimi, ndërkohë që ne i pranojmë automatikisht, por duhet supozuar se ka një arsyetim kompleks në lidhje me këtë çështje. Mirëpo, si paralele: pse Gjermania zgjodhi të mirëpresë sirianët? Sigurisht, për skrupuj humanë, por dhe se ata do të ishin më të dobishëm për nevojat e ekonomisë gjermane, me nivelin mesatar të shkollimit më lart se popullsitë e tjera arabe apo me zanatet e tyre…

PSE KJO MUNGESË TRANSPARENCE?

Karta e transparencës është qesharake. Ky është një operacion, i mbajtur në sekret të plotë nga ideatorët, pra, amerikanët, që na e kanë imponuar dhe ne. Si përfytyrim të sekretësisë për operacionin, të marrim shembullin e Kosovës. Ka tri elemente që theksojnë teknikën e SHBA për të siguruar fshehurazi konsensusin e vendeve tona. E para, ata kanë zgjedhur të flasin me Presidenten Vjosa Osmani, interlokutore e privilegjuar e amerikanëve, ndonëse problemi është logjistik, tipik për ekzekutivin. Ajo tha (e para ndër krerët e Kosovës) se është kontaktuar që më 16 korrik nga ambasadori Kosnet, si porosi e Presidentit Biden. Momenti i dytë, nuk kishim deri para dy ditësh (kur qeveria kosovare vendosi zyrtarisht) asnjë qëndrim publik të z. Kurti, ndoshta për shkak të faktit që Kosova është në fushatë elektorale dhe sipas ndonjë përfytyrimi, ky vendim mund të ndikojë. Momenti i tretë, që thekson sekretësinë ndërshqiptare, është fakti që z. Rama thoshte se nuk e di nëse i është bërë Kosovës një propozim i tillë, por sipas tij, “nëse i është bërë, Kosova duhet ta pranojë”. Ose Rama vërtet s’dinte; ose bënte sikur s’dinte, ose nuk e kanë informuar homologët e tij, të ftohur për shkak të gripit të verës, quajtur Bregoviç… Pra, amerikanët kanë vepruar në sekretësi të plotë dhe iu kanë thënë liderëve ballkanikë se ‘ne po flasim me ju, por ju nuk duhet të flisni me të tjerë’. SHBA i kanë kontaktuar veç e veç shtetet e rajonit. Pse? Ky është një operacion që ka brenda elementë, që lidhen me sigurinë kombëtare: celula të terrorizmit ndërkombëtar, mund të godasin simbolikisht bash në këtë moment, edhe në vendet tona duke përfituar nga vëmendja publike.

PËRFITIMET POLITIKE PËR UDHËHEQËSIT.. DHE SHQIPËRINË E KOSOVËN

Me përgjigjen e shpejtë si të parët apo dhe me vetofrimin- rasti i Shqipërisë, SHBA gjendet në një lloj borxhi me ne, që ta ndihmojë vendin apo kombin tonë në një çështje tjetër. Kjo është pikë force për vendin tonë, pse jo dhe kredencial për Ramën. Kohët e fundit liderët tanë (Berisha dikur) kanë marrë vendime si këto të cilat u kanë dhënë njëlloj bonusi personal në marrëdhëniet me SHBA-të, por ky nuk është argument të sulmosh të gjithë iniciativën, që forcon më së pari prestigjin tonë kombëtar, Shqipëri e Kosovë bashkë. Sepse Shqipëria dhe Kosova duhet të jenë në unison me SHBA në çdo çështje, posaçërisht Kosova që ka një sfidë si dialogu me Serbinë, përballë së cilës duhet të jetë sa më e fortë dhe me shumë miq besnikë. Ky unison ruhet me vepra si kjo, por dhe kur politikanët tanë a njerëzit tanë me ndikim- kujtoni Rugovën që quhej bashkëbisedues i vështirë prej amerikanëve, por kurrë s’foli kundër tyre- duhet të kujdesen të mos thonë asgjë në publik kundër Shteteve të Bashkuara. Pra, as të mos nguten të analizojnë publikisht të ashtuquajturat dobësi të SHBA-ve në menaxhimin njëzetvjeçar të Afganistanit. Raporti ynë me Amerikën është një aset diferencial, historik, mjafton të kujtojmë shprehjen e Hillary Clinton se “Ne kemi qenë bashkë në 100 vitet e fundit dhe do të jemi bashkë edhe në 100 vitet e ardhshme”. Ndaj duhet pritur që edhe z. Kurti të dalë publikisht të flasë në shkallë sipërore për këtë operacion, duke theksuar kësisoj rreshtimin e përbashkët properëndimor me Shqipërinë në krah të SHBA-ve. Kjo dalje e tij, kaq e dobishme në raport me dialogun- Serbia nuk ka marrë afganë, do t’i shërbente pozitës negociale të Kosovës në dialog, por dhe forcimit të frymës proamerikane te qytetarët, posaçërisht te votuesit e tij. Kjo frymë pozitive nuk është e dhënë njëherë e mirë, ajo u lëkund nga përplasjet publike pa asnjë alibi të Kosovës me SHBA-të, posaçërisht me administratën Trump. Dhe mu në një kontekst si ky, me vetëdije a pa vetëdije, nguliten sepse inxhinierohen frikëra a bindje kolektive, me goditje shumëplanëshe nga shërbimet serbe a ruse: SHBA-të do tërhiqen nga Kosova njëjtë si në Afganistan!!

Çështja e refugjatëve afganë ku Shqipëria dhe Kosova po sillen me pjekuri duke fituar pikë përballë SHBA-ve, thekson ndarjen e sotme Lindje-Perëndim: ndërsa Perëndimi, NATO, me në krye SHBA-në, merr përgjegjësitë dhe mirëpret njerëzisht qytetarët e rrezikuar afganë, Lindja i gëzohet të ashtuquajturit dështim të Perëndimit dhe s’tregon kurrfarë humaniteti, ndonëse as shtete si Rusia nuk i njohin talebanët si faktor i ligjshëm. Ne si komb, ama, u rreshtuam edhe këtë herë me Perëndimin.

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Paloka reagon pas deklaratës së Bashës: Ndal përçarjen!

Deputeti i PD-së dhe njëherazi kryetari i Këshillit Kombëtar, Edi Paloka, ka reaguar pas deklaratës së liderit të partisë Lulzim Basha, i cili tha...

77 mandate PS-ja?

Nga: Eduard Zaloshnja “Do të kishim marrë jo 74, por 77 mandate, nëse shumë nga ata që na votuan nuk do të kishin ngatërruar numrin...

‘Reshje shiu me intensitet të ulët’, parashikimi i motit për nesër

Duke filluar nga dita e nesërme, mbi vendin tonë depërtojnë gradualisht masa ajrore të paqëndrueshme me origjinë veriperëndimore. Moti parashikohet me alternime kthjellimesh e vranësirash...

A duhet shtetëzuar transporti urban?

Nga: Klodian Tomorri Ka patur një debat mes ekonomistëve nëse shërbimi i transportit urban është apo jo monopol natyror? Evans në vitin 1991 studioi shërbimin...

Do jepni dorëheqjen nga PD? Basha: 95% e demokratëve më duan

Në një prononcim për gazetarët nga selia blu, kryedemokrati Lulzim Basha tha se 95% e demokratëve e duan në krye të betejës. Nga ana...