Kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti herë pas here ka deklaruar publikisht se ekziston një marrveshje sekrete mes Hashim Thaçit dhe Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç.
Lidhur me këto deklarata ka reaguar së fundmi Vuçiç, teksa theksoi se nuk ekziston një marrëveshje sekrete.
Ai shtoi se me Presidentin e Kosovës ka kohë që s’ka pasur diskutime serioze.
Pohimet e Kurtit, Vuçiç i cilësoi “teori absurde konspirative”.
Kujtojmë se para pak ditësh, Kurti tha në emisionin “Opinion” se marrëveshja sekrete ka në thelb të saj ndryshimin e kufijve të Kosovës.
“Është një marrëveshje sipas së cilës Kosova do duhej të hiqte dorë nga komunat në veri të lumit Ibër. Serbia do të fitonte ndonjë komunë shtesë në veri të lumit Ibër.
Për kompensim, Kosova do të merrte ca fshatra në Luginën e Preshevës, por kurrsesi Bujanovcin dhe Medvegjën, në rastin më të mirë, qytezën e Preshevës”, u shpreh kryeministri i Kosovës.