E enjte, 21 Tetor, 2021
12.5 C
Tirana

A është Ursula Von Der Leyen, udhëheqësja që i duhet Evropës?

Nga Dominique Moisi “Project Syndicate”

Charles de Gaulle, kishte “një ide të caktuar mbi Francën”. Por a ka ndonjë ide të caktuar mbi Evropën, Ursula von der Leyen, presidentja e ardhshme e Komisionit Evropian,  si dikur Jacques Delors, kur mbante postin e lartë në krye të Bashkimit Evropian?

Ndoshta kjo është një pyetje e padrejtë dhe e parëndësishme. Tek e fundit, pikëpamja e Delors mbi Evropën, evoluoi me kalimin e kohës. Dhe në përgjithësi, politika e Evropës (për këtë arsye edhe politikanët e saj), është bërë më pragmatike dhe më pak idealiste në gjysmë-shekullin e fundit që nga vdekja e De Gaulle.

Sot politikanët janë (në rastin më të mirë) ambiciozë, dhe shpesh “të mbijetuarit e zgjuar”. Megjithatë, presidentja e ardhshme e Komisionit Evropian, do ta marrë detyrën në një kohë kur Evropa ka një nevojë urgjente për një udhëheqës vizionar, dhe jo thjesht për një marrëveshjebërës.

Në fakt, Von der Leyen është larg nga të qenit një zgjedhje e keqe. Ajo do të jetë gruaja e pare, që do të mbajë postin më të lartë të BE-së, dhe gjermania e parë në këtë post që nga koha e Walter Hallstein në fund të viteve 1960, kur integrimi evropian ishte në fillimet e veta.

Për më tepër, Von der Leyen është padyshim pro-evropiane dhe atlantiste. Si ish-ministre gjermane e mbrojtjes, ajo është shumë e njohur me çështjet gjithnjë e më jetike të sigurisë, me të cilat ballafaqohet aktualisht Evropa.

Pra, Von der Leyen plotëson shumicën e kritereve të duhura, edhe pse propozimi i saj ishte rezultat i një serie kompromisesh komplekse. E megjithatë, mbetet dyshimi bezdis, nëse Evropa do të ketë vërtetë në krye personin më të mirë në krye të saj.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, kishte deklaruar shpesh, si publikisht ashtu edhe privatisht, se cilësia duhet të jetë kriteri i vetëm për zgjedhjen e udhëheqësve të rinj të Evropës, dhe se kombësia apo përkatësia politike, kanë një rëndësi dytësore.

Por për shumë kohë, Evropa i ka zgjedhur udhëheqësit e saj, kryesisht në bazë të kufizimeve të tyre, dhe jo më pak edhe për shkak të arsyes që liderët kombëtarë donin të siguroheshin, që të mos kishin rivalë në Bruksel. Nga Jose Manuel Barroso – një njeri i dalluar kryesisht për aftësinë e tij unike të njohjes së 10 gjuhëve – tek Jean-Claude Juncker, posti më i lartë në BE, është zënë nga udhëheqës të pazakontë.

Defiçiti i lidershipit që ka pasuar, e ka dëmtuar rëndë BE-në, duke përforcuar ndjenjën gjithnjë e në rritje, të distancimit midis qytetarëve të kontinentit dhe elitave të tij. Teksa Evropa po ballafaqohet tani me sfida të mëdha të jashtme dhe të brendshme, nga rritja e Kinës tek përhapja e populizmit, do të nisë të zgjedhë liderët e saj në bazë të meritave të tyre.

Von der Leyen, përfaqëson një distancim të qartë nga mediokriteti zhgënjyes i liderëve të fundit të BE. Në aspektin e çështjeve ekonomike, fjalimi i saj inaugurues në Parlamentin Evropian ishte padyshim bindës. Ursula është ndërkohë një lojtare politike serioze.

Shumëkush në Gjermani, beson se ajo e pa Ministrinë e Mbrojtjes si një trampolinë drejt realizimit të ambicies së saj të vërtetë: zgjedhjes si kancelare. Por shumë analistë evropianë, përfshirë edhe mua, pyesin ende veten nëse Von der Leyen ka kombinimin e duhur të karizmës, qëndrueshmërisë, dhe kreativitetit politik, për të qenë udhëheqëse e Evropës.

Së pari, Parlamenti i ri Evropian ka një përzierje më të madhe, ndaj ka të ngjarë të jetë shumë më i vështirë për t’u menaxhuar se sa paraardhësit e tij. Konsideratat politike kombëtare, do të jenë më të shpeshta, së bashku me aleancat më komplekse dhe më oportuniste.

Për më tepër, edhe presidenti më karizmatik i Komisionit Evropian, do ta kishte të vështirë të kapërcente tensionet, dhe kontradiktat e qenësishme që ka kjo detyrë. Von der Leyen, do të duhet të ruajë besimin e udhëheqësve kombëtarë që e emeruan atë, por pa u shfaqur si zëdhënësja e tyre.

Njëherazi, ajo duhet të fitojë besimin e Parlamentit Evropian, që e konfirmoi atë si presidente me një diferencë  shumë të ngushtë. Mbi të gjitha, ajo duhet të jetë fytyra njerëzore e një burokracie anonime të BE-së, dhe në këtë pozitë duhet t’u flasë drejtpërdrejti dhe bindshëm evropianëve.

Për disa, ky mund të duket si një mision i pamundur, por ai është më jetik se kurrë më parë. Kur himni evropian, “Ode për gëzimin” e Beethovenit, u luajt në sesionin e hapjes të parlamentit të ri këtë muaj, deputetët e Partisë Brexit të Mbretërisë së Bashkuar kthyen shpinën, ndërsa anëtarët e partisë franceze Tubimi Kombëtar të Marine Le Pen, nuk u ngritën në këmbë.

Fakti që një sjellje të tilla barbare në zemër të BE-së po bëhen pothuajse të zakonshme, e bën edhe më të rëndësishme zgjedhjen e presidentes së re të Komisionit Evropian. Le të shpresojmë, që Von der Leyen të arrijë t’i zhgenjejë skeptikët, dhe të jetë realisht udhëheqësja që meriton, dhe për të cilën ka nevojë Evropa.

Shënim:Dominique Moisi, është këshilltar në Institutin Montenj në Paris./ TIRANA TODAY

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Evi Kokalari i publikon dokumentin Bashës: Të nis një investigim për këto afera

Që kur u shfaq në "Foltoren" e Sali Berishës si një mbështetëse "amerikane" e ish-kryeministrit në “luftën” e tij kundër SHBA-së, Evi Kokalari nuk...

Thellohen spastrimet në PD/Luan Baçi largohet nga kreu i degës në Fier

Lulzim Basha ka marrë një tjetër vendim, për të shkarkuar një tjetër emër nga radhët e PD-së. Dita-ditës, kryedemokrati po fakton se mbetet i...

PD e vendosur për t’i shkuar deri në fund çështjes “Becchetti”

Pak kohë më parë, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg ka dënuar Shqipërinë me 110 milionë euro, për konfliktin me biznesmenin...

Hoxhë Hasan Tahsini, në fokus të Akademisë për Studime të Çamërisë

Hoxhë Hasan Tahsini ka qenë në fokus të Akademisë së Studimeve për Çamërinë. Simpoziumi shkencor i Akademisë së Studimeve për Çamërinë është mbajtur në...

Për periudhën janar-prill janë shpenzuar 14 mln USD për 499 mijë të vaksinuar

Për vaksinimin e popullatës në 4 mujorin e parë të 2021 janë shpenzuar rreth 14 milonë dollarë sipas të dhënave të Ministrisë të Shëndetësisë....