Në një deklaratë për mediat, kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) Arben Kraja pohoi se prokurorët kanë në dorë dosje të “nxehta” me zyrtarë e ish-zyrtarë të lartë shtetërorë. Ai është pyetur nëse do të ketë arrestime të bujshme, dhe tha se shumë emra janë nën hetim dhe se po vijohet me procedurat, por nuk dha asnjë emër. Arben Kraja u shpreh se prokurorë dhe gjyqtarë të SPAK-ut kanë pasur në dorë gjykimin e personave mjaft kompleksë, shumë dosje të “nxehta”, mes tyre dhe të zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë shtetërorë. Kreu i SPAK, Arben Kraja thekson se puna e këtij institucioni vazhdon për të goditur korrupsionin në nivele të larta.
Pjesë nga prononcimi:
Arben Kraja: Ishim me Këshillin drejtues të Shkollës së Magjistraturës. Siç e patë të gjithë prokurorët e SPAK ishin prezentë për të ushtruar detyrën e tyre.
Pse prokurorët i tremben garës për kryetarin e SPAK?
Gara është akoma e hapur. Vazhdon akoma, nuk di të ketë trembje.
I përmbushët të gjitha objektivat e qëllimet që i kishit vendosur vetes në fillim të këtij 3-vjeçari?
Patjetër. Institucioni është një institucion i ri që kërkon punë. Është krijuar çdo gjë nga e para, qoftë nga puna, qoftë edhe nga ana e imazhit. Besoj është bërë më e mira.
Edhe këto pak ditë që jeni ju në krye të SPAK, a do të kemi kapjen e ndonjë peshku të madh?
Prokurorët e SPAK punojnë çdo ditë, siç e shihni, edhe sot kishin një njoftim shumë të rëndësishëm, për tjetërsim pronash. Bëhet fjalë për tokat në Shëngjin, janë sekuestruar, do t’i kthehen shtetit sigurisht.
Ka dhe dosje të tjera që po hetohen prej 3 vitesh, do ketë përfundim?
Ka shumë dosje që janë nën hetim, do të vijojmë me procedurat. Sepse dosjet janë voluminoze. Kanë problematikat e veta, por janë drejt përfundimit.
Ka informacione në lidhje me lajmin që po qarkullon se strukturat e SPAK e të GJKKO javë vënë nën presion?
Prokurorë dhe gjyqtarë të SPAK-ut kanë pasur në dorë gjykimin e personave mjaft kompleksë, shumë dosje të nxehta, mes tyre dhe të zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë shtetërorë, dhe normalisht që ka patur kërcënime. Ka pasur dhe presione, ata kanë mbrojtje që u sigurohet me ligj nga shteti.
A po hetohen?
Nuk është kompetencë e Prokurorisë së Posaçme të bëjë këto hetime, kështu që nuk kam informacion.