Në një konferencë për mediat, kryetari i Partisë së Lirisë, ka përsëritur edhe një herë që partia që ai drejton ka qenë gjithnjë e hapur për fuqizimin e aksionit opozitar. Ai nënvizoi se bashkëpunimi me PD-në për këto zgjedhje lokale do të jetë i hapur, pasi aksioni opozitar sipas tij, është me interes kombëtar. Meta thotë se është i hapur të bashkëpunojë me të gjithë opozitën për zgjedhjet.
“PL siç e dini është e hapur për të bashkëpunuar më çdo faktor të vërtetë opozitar, në radhë të parë me PD-në në interes të vendosjes së demokracisë sa më shpejt në vend. Së dyti, PL ka qenë dhe është e gatshme të bashkëpunojë dhe koordinojë aksionin opozitar si një interes kombëtar dhe jo interes partiak.
Kjo nuk ekziston si filozofi e PL. PL e ka përballjen me Edi Ramën dhe regjimin mafioz dhe dëshiron ti bashkojë forcat në mënyrën më të hapur me të gjithë forcat e tjera që janë realisht në opozitë me Edi Ramën”, tha Meta.
“Sa i takon kandidatëve, është e rëndësishëm të ketë vetëm një në çdo Bashki. Në kushte të tjera mund të kishte 2-3 ose 4. Në këtë drejtim e kemi bërë të qartë që s’do vëmë kushte për asnjë lloj Bashkie. Nëse do të ketë kandidat nga PL që mendojnë se kanë përkrahje në një Bashki të caktuar, është një çështje që do e diskutojmë që ky kandidat të testohet”.