Ferdinand Dervishi
Në këtë numër të dytë, në dispozicion të lexuesit do të jenë përgjimet e bëra nga Sigurimi i Shtetit ndaj “elementëve armiqësore” në periudhën korrik-shtator 1983 në zonën e Matit dhe në burgjet e tij, sidomos në repartin 321 apo ndryshe, burgun e Burrelit.
Sipas hartuesit të këtij materiali sekret, që i është dërguar sërish Ministrisë së Punëve të Brendshme, Drejtorisë së Parë, sh. Zylyftar Ramizi, por edhe Sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë të Burrelit, sh. Zylyftar Dyrmishi, “elementi armik ka intensifikuar veprimtarinë armiqësore në fushën e agjitacionit e propagandës”.
Dhe më tej: “Në këtë tremujor ka një rritje në krahasim me tremujorin e kaluar të numrit të personave që kanë komentuar. Gjithashtu ka rritje edhe në mprehtësinë e ashpërsinë e komenteve të zhvilluara”. Dhe po të lexosh brendinë e këtij informacioni sekret, duket se të paktën të dënuarit e burgut të Burrelit kanë lëshuar akuza shumë të sakta kundër Enver Hoxhës dhe pushtetit të tij.
Kështu, ata janë përgjuar të thonë se “sikur Mehmet Shehu të kishte arritur qëllimin e tij, i gjithë populli do të ishte më të, se Mehmeti i ka bërë të gjitha krimet me urdhër të Enverit, se pas vdekjes së Mehmetit paskan mbetur edhe më të poshtër se ai, se në burgje komunistët kanë marrë e zbatuar të gjitha gjërat e këqija të Hitlerit, se Enveri në rini të tij i shërbeu Zogut, se krimineli gjen kënaqësi vetëm kur sheh gjak e lot pa fund”, etj.
PËRMBAJTJA E DOKUMENTIT
“Gjatë periudhës korrik-shtator 1983 elementi armik ka intensifikuar veprimtarinë armiqësore në fushën e agjitacionit e propagandës. Në këtë tremujor ka një rritje në krahasim me tremujorin e kaluar të numrit të personave që kanë komentuar. Gjithashtu ka rritje edhe të mprehtësisë e ashpërsisë të komenteve të zhvilluara… Drejtimet kryesore të propagandës armiqësore gjatë kësaj periudhe janë: a)- Kundër vijës politike të Partisë dhe udhëheqjes së saj, janë shprehur. “…Gjyqi është bërë me dyer të mbyllura, pasi nuk kanë asnjë fakt për t’i dënuar, por mirë ua bënë, se nuk qenë të Zot me veprue”.
“Të vjen për të qeshur kur dëgjon se çfarë shkruhet në vendimin e gjyqit, si është e mundur që të jenë të lidhur me spiunazhin e huaj qysh pas çlirimit, të kenë marrë urdhër për të asgjësuar udhëheqësin e Partisë dhe të mos e kenë kryer, është e pabesueshme, por bravo i qoftë atij se u hëngri kokën të gjithëve për të qenë vetë i lirë, për të vepruar si të dojë. A e din ti se udhëheqësi i Partisë ka pasur gisht në vrasjen e Q. Stafës? Kështu e kanë traditën këta, nga njëra anë të vrasin, nga ana tjetër të lavdërojnë”. “Kam dëgjuar në radion jugosllave se tek ne janë asgjësuar 12 anëtarë të Byrosë Politike dhe 20 anëtarë të KQ dhe se vetëvrasja e M.Shehut është e padrejtë, ai nuk ka vrarë veten, por atë e kanë vrarë bp. (bashkëpunëtorët, red.) e shokët e udhëheqësit kryesor”.
“Është e pabesueshme që M. Shehu dhe K. Hazbiu të kenë qenë tradhtuar, siç shkruhet në vendimin e gjykatës, por unë mendoj dhe kështu duhet të jetë që para Kongresit të 8-të të PPSH-së gjatë përgatitjes së tezave, këta të fundit (Mehmeti e Kadriu) mund të kenë qenë kundër mendimit të udhëheqësit të Partisë për ndonjë çështje dhe për këtë u janë kundërvënë deri sa i bënë tradhtarë dhe i eliminuan”.
“Na punuan vendimin e gjykatës edhe ne pensionistëve, është e çuditshme! Unë isha në ushtri në kohën kur K. Xoxe bllokoi udhëheqësin e Partisë. Në atë kohë na bënë mbledhje dhe na folën keq për M. Shehun, mirëpo M. Shehu qe personi që shpëtoi udhëheqësin e Partisë në Moskë. Nuk besohet që të kenë pasur urdhër për të vrarë udhëheqësin e Partisë e të mos e kenë vrarë, pasi Mehmeti me Kadriun vazhdimisht rrinin me të e po të donin e kishte vrarë. Unë mendoj se kushedi si do të jenë fjalosur për ndonjë çështje”. “Komplotistët nuk e kanë mbaruar gjyqin, bile nuk dihet i saktë ekzekutimi i B. Ballukut, ka mundësi që M. Shehu bashkë me ish-kryetarin e Degës së Vlorës ta kenë nxjerrë jashtë shtetit”.
“Feja në Shqipëri është prishur vetëm që të njihet udhëheqësi kryesor i Partisë, se po të ishte feja, ai nuk do të njihej, prandaj e prishi ai fenë”. b) Për nivelin e “keq” ekonomik të vendit tonë kanë komentuar… “Po vuajmë shumë, ka ardhur puna që edhe për festat të marrim mishin me gramë, kujt t’ia tregosh 250 gram për rast feste e lëre më herë të tjera se çfarë do të japin”. “Unë dëgjoj emisionet e Radio Prishtinës se ajo flet realitetin dhe në një rast unë kam dëgjuar që thoshte se në Shqipëri ka vështirësi ekonomike, punëtori punon 2 ditë për të marrë 1 kg gjizë.
E vërteta kështu qëndron se vlera e ditës së punës është shumë e vogël”. “Udhëheqësi kryesor i Partisë u tregua më i zoti dhe nxori agjent M. Shehun, por Mehmeti sikur ta realizonte dëshirën e tij, do të eliminonte udhëheqësin e Partisë dhe do t’i shpërndante popullit lopët duke na thënë se ai ju ka marrë lopët padrejtësisht, por unë po jua jap…”.
“Këtu duhet të punosh ditë e natë e pare nuk merr fare. Drejt folën të arratisurit në Radio Prishtina se, në Shqipëri jeta nuk është e mirë, nuk ka pagesë pothuajse vetëm për copën e bukës, se nuk trajtohen njerëzit mirë. Ata kanë folur realitetin për shumë gjëra”. “Tufëzimi i bagëtive ka krijuar vështirësi ekonomike, më mirë kemi qenë privat se sa tani”.
“Këta nuk e kanë shikuar drejtë këtë çështje, tani do të bëhemi më keq. Do të thahemi për një lugë qumësht, do të mbetet vetëm turshia sa të mos na dalë shpirti, tufëzimi është punë pa hair”.
“Në Peshkopi janë shkruar parulla dhe një pjesë e mirë e popullit është shprehur se nuk ka qenë dakord për marrjen (tufëzimin) e bagëtive, niveli i jetesës ka rënë”. “Në Jugosllavi ka çdo shtëpi 10 dynym tokë buke, 20-25 kokë bagëti, kanë një nivel të mirë jetese”. “Tani të ardhurat për popullin nuk kanë rëndësi, sikur dhe dy lekë t’u japësh për ditë pune, apo 20 lekë, njëlloj është, populli nuk flet fare, pasi e ka humbur besimin”. c) Komente armiqësore janë zhvilluar edhe për probleme të ndryshme, si: “Tek ne boll flitet për të drejtën e gruas, por të drejtat e saj nuk janë dhënë konkretisht. Në vendet e tjera gratë kanë të drejta dhe jo se nuk kanë… ”
“Për humanizmin dhe të drejtat e njeriut shumë saktë flet Amerika në lajmet e saj”. “Nxënësit sot janë më të dobët se sa në të kaluarën. Duket sikur bëhet mirë kur nuk përdoret dajaku, por në fakt dobëson kërkesën e llogarisë. Kjo dobësi duket edhe te kuadrot e rinj, që nuk marrin vesh fare. Më të përgatitur janë kuadrot e vjetër”.
PËRGJIMET NË BURGJE
Krahas propagandës armiqësore që ka zhvilluar elementi armik i lirë, edhe të dënuarit që vuajnë dënimin në repartet 301 dhe 321 e kanë intensifikuar më tej këtë lloj veprimtarie. Karakteristikë dalluese e propagandës armiqësore e të dënuarve është se, ndërsa ata të repartit 301 kanë më të theksuar në komentet e tyre dëshirën dhe përgatitjet që bëjnë për t’u arratisur nga reparti e për të shkuar jashtë shtetit, të dënuarit e repartit 321 (burgu i Burrelit, red.) komentojnë me ashpërsi kundër vijës së Partisë dhe udhëheqësit të saj. Disa nga komentet më kryesore janë: “Qeveria jonë thotë për kosovarët që po i dënon Jugosllavia me burgime të rënda, por se dënon vetë me 25 vjet nuk thotë gjë”. “Sikur M. Shehu të kishte arritur qëllimin e tij, i gjithë populli do të ishte me të… neve do të na vijë koha shpejt që të marrim pushkën e të luftojmë kundër këtij pushteti, se neve na mbron arena ndërkombëtare”.
“Këta kanë marrë të gjitha gjërat e këqija të Hitlerit, që bënte nëpër burgje me çifutët, kështu bëjnë edhe këta të rrahin, të lënë pa ngrënë, të dënojnë kot etj.”. “M. Shehu që ka qenë kriminel ajo dihet, se nuk ka komunist pa u përlyer me gjak dhe të gjitha krimet i ka bërë me urdhër të udhëheqësit të Partisë”.
“Po të paguash para pa karar të shkruhet emri jo në enciklopedi, por kudo tjetër, neve kemi pasur njerëz këtu që e njohin udhëheqësin e Partisë, ata thoshin që nuk ka mbaruar shkollë, por kunati i tij, që ishte me pushtet me Zogun, e ndihmoi duke e dërguar sekretar ambasade në Belgjikë, ku i shërbeu Zogut deri në fund”. “Unë nuk jam i zgjuar, por më i zgjuar se udhëheqësi i Partisë jam… nuk do të zgjasë shumë kjo punë e ai do të vdesë dhe ne do të lirohemi… neve nuk do t’i përmendim me gojë torturat e krimet që na kanë bërë tash 40 vjet, është tmerr t’i kujtosh, xhaxhai bëri 25 vjet burg dhe unë po bëj 12, baba ka bërë në fillim burg. Pra, e gjithë familja ime është e dënuar nga ky pushtet”.
“Krimineli do vetëm gjak e lot me pa jo lumturi tek të tjerët, por do ta paguajnë fëmijët e tyre, se në këtë botë lahen të gjitha”. “Sadik Bekteshi ka qenë një nga kuadrot më të mirë të ushtrisë tonë, por kjo Qeveri po i zëvendëson me M. Mb. Popullore me shehë që s’dinë as me lexue, por ama janë të zotët me vrarë cilindo që do t’i kundërshtojë. Këta nuk janë socialistë, socialistët janë në Moskë, Jugosllavi, Bullgari etj …”.
“Kjo supë është e udhëheqësit kryesor të Partisë me shokë, që janë vëllezërit e tu (i drejtohet një të dënuari) e jo të komunizmit, po deshe me pa supë komunizmi shko në Jugosllavi e tjetërkund”.
Dy të dënuar të repartit 321 në prani të dënuarve të tjerë janë shprehur: “… Më fal o M. Shehu, se të kam sharë, por paska edhe më të poshtër se ti, paske lënë qentë mbrapa”. “… Poshtë udhëheqësi i Partisë, poshtë PPSH e pushteti popullor, poshtë drejtësia”. Dokumenti përfundon më këtë shënim: Këto ishin disa nga komentet e parullat armiqësore të hedhura nga elementi armik i lirë dhe i dënuar gjatë tremujorit të tretë 1983, të cilat siç shihet, më të mprehta kanë qenë nga të dënuarit e repartit 321 dhe pothuajse shumica e tyre janë në drejtim të partisë, vijës së saj të drejtë dhe udhëheqësit të saj”. /Panorama