Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka folur për hetimet që ka nisur SPAK-u për të pasi i ka kërkuar KQZ-së kopje të formularit të dekriminalizimit. Në një intervistë për “Euronews Albania”, Meta tha se Edi Rama i ka bërë shantazh SPAK-ut. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vijon procedurat e hetimit për Ilir Metën, pasi i kërkoi KQZ-së kopje të formularit të vetëdeklarimit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen, ose ushtrojnë funksione publike”.
“Unë nuk e di të ketë pasur ndonjë shqetësim nga dikush për ndonjë deklaratë tjetër. Ajo që mund t’ju them unë që Edi Rama i ka bërë shantazh SPAK-ut, dhe e mban tërë kohës në shantazh. Ju thotë që ju jeni krijesa jonë. Jam politikan që jam ballafaquar gjithmonë me drejtësinë”, tha Meta.
Meta shtoi me tej se drejtësia nuk duhet të gjunjëzohet nga Rilindja. “Edi Rama mashtrimet më të mëdha, krimet më mëdha i ka bërë duke spekuluar me gjoja SHBA-në. Rama është shkelës i ligjit amerikan. Ka marrë në qafë edhe një qytetar shqiptar, z.Bilal i cili ka ngrënë dhe burgun dhe ky ka shpëtuar më një marrëveshje bashkëpunimi”, tha më tej ai.
Ilir Meta e konsideroi si një manipulim të shëmtuar me metoda të ish-sigurimit të shtetit dosjen në të cilën përmendet edhe emri i tij. Ai citoi se nuk ekziston asnjë dosje për Ilir Metën.
“Mendoj se që nga 25 korriku kam dalë përballë të gjithë atyre që kanë kohë të gjatë që punojnë kundër interesave kombëtare të interesit të shtetit, kundër interesit publik. Dosjet janë hapur në mënyrë të vazhdueshme që nga ‘92 dhe ne kemi qenë gjithmonë mbështetës të hapjes së tyre. Por në këtë rast nuk kemi të bëjmë me hapje dosjesh, kemi të bëjmë me një proces të shëmtuar të manipulimit të dosjes së një ish-student, jo Ilir Metës, nuk ka ekzistuar kurrë një dosje për Ilir Metën, që është përndjekur nga sigurimi i shtetit”.