Sot dhe nesër do të mblidhet samiti i Bashkimit Europian në Bruksel, në të cilin kryeministri Rama ka konfirmuar pjesëmarrjen. Udhëheqësit e BE-së do të takojnë homologët e tyre të Ballkanit Perëndimor sot në mëngjes, përpara samitit kryesor, për të “folur mbi lidhjet e ngushta ekzistuese”, por diskutimet priten të jenë të vështira.
Pavarësisht synimeve, duket se nuk do të ketë një dritë jeshlie për hapjen e negociatave, pasi një ditë më parë u rrëzua qeveria bullgare, e cila ka vendosur veton ndaj Maqedonisë së Veriut, e për rrjedhojë pengon edhe integrimin e vendit tonë. Parlamenti i Bullgarisë rrëzoi dje qeverinë e kryeministrit Kiril Petkov. 123 deputetë votuan pro dhe vetëm 116 kundër mocionit të mosbesimit të iniciuar nga opozita, që e akuzonte atë për dështim të përballimit të krizës ekonomike.
Pak ditë më parë, Petkov humbi një prej partive aleate të koalicionit duke sjellë edhe shkarkimin e kreut të parlamentit. Qeveria e Petkov zgjati vetëm 7 muaj pasi vendi mbajti më herët 3 palë zgjedhje të njëpasnjëshme. Kriza politike në vend mban pezull edhe veton për integrimin në BE të Maqedonisë së Veriut, por edhe të Shqipërisë. Me rrëzimin e qeverisë, presidenti i vendit do të nisë një tur negociatash për gjetjen e zgjidhjes, por nëse nuk do të ketë rezultat vendi do të shkojë sërish në zgjedhje në vjeshtë.