Presidenti Meta i është përgjigjur akuzave të ngritura nga gazeta austriake “Kronen Zeitung”, se ka paguar 700 mijë dollarë për të marrë pjesë në inagurimin e presidenit Donald Trump në vitin 2017. Presidenti Ilir Meta dhe bashkëshortja e tij, kryetare e LSI-së, Monika Kryemadhi u akuzuan nga një media në Austri, e quajtur “Kronen Zeitung” se kanë paguar për të marrë pjesë në ceremoninë e betimit të Donald Trump si president i SHBA-së në 20 janar 2017 (700 mijë dollarë) dhe për udhëtime, darka bashkë me ndërhyrjet kirurgjikale për Kryemadhin (50 mijë dollarë) po në tokën amerikane. Historia bëhet akoma më tronditëse teksa media në fjalë raporton se është takuar me informatorin që ka zbuluar këto të dhëna për çiftin Meta-Kryemadhi, i cili është fshehur në Austri nga frika e kërcënimeve në Shqipëri dhe ka marrë statusin e mbrojtjes. Meta tha në një konferencë për mediat se e gjitha është një mashtrim, madje duke e cilësuar si një dramë të madhe. Ai konfirmoi se nuk është paguar asnjë cent për fotot.
“Ç’koment të kem për këto mjerime të Rilindjes lokale dhe ndërkombëtare. E kam parë atë shkrimin pa emër. Shkrim pa emër për Presidentin e një vendi. I cili nuk është gjë tjetër por është vetëm një ripërtypje në publik e disa shkrimeve të bëra nga revista Father Jones. Sa i takon LSI-së, keni deklaratë nga ish-zëdhënësi i saj Sulçe në 5 prill 2018. Ja ku e keni që në 3 maj një gazetar, më ka bërë për këtë çështje dhe përgjigjja është shumë e qartë që është një mashtrim, pasi kam marrë pjesë si kryetar i parlamentit së bashku me Vasilin me ftesë të komunitetit organizator dhe gjithçka është e verifikueshme. Tani ato thonë se ka qenë Ilir Meta atje dhe ka paguar 700 mijë dollarë. Nëse u duket Vasili si Trump, atë ka nxjerrë gazeta austriake. U duket Petriti si Trumpi? Është shumë e verifikueshme.
Do jetë edhe në gjyq në Vjenë për këtë shkrim të kësaj gazete. Këtu ku jam unë me Vasilin rrinë zyrtar e senator. E gjitha është vetëm një mashtrim. Këto foto i kam bërë që 30 vjeç me presidentin Klinton, e kam nxjerrë mallin e fotos. As nuk kam paguar, e as nuk do të paguaj asnjë cent. Kemi njoftuar Ambasadën në Vjenë, për t’i informuar për korrektësi. Por të mos isha President, nuk do t’i padisja. Ato do të shkojnë në gjyq dhe ka garë të madhe nga avokatët atje për të më përfaqësuar mua. Do t’i nxjerrë me emër të gjithë ato që kanë shkruar”, tha Meta.