Deputetët e Partisë Demokratike kërkojnë me çdo kusht dorëheqjen e kryedemokratit Lulzim Basha. Pasi hasën rezistencën e tij, dje deputetët e PD-së kanë ndërmarrë një hap konkret, duke nisur mbledhjen e firmave, për t’i kërkuar zyrtarisht dorëheqjen Bashës.
Duket se kundërshtarët demokratë brenda selisë blu i kanë paraprirë çdo skenari të Bashës, për të kërkuar më shumë kohë për largimin nga PD-ja. Kujtojmë këtu se disa zyrtarë të partisë kanë filluar të largohen nga postet e tyre, menjëherë pas daljes së rezultateve. Humbja dramatike në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 Marsit, ka krijuar me shpejtësi një grup të ri kundërshtar në Partinë Demokratike kundër Lulzim Bashës.
Ky i fundit ka thërritur një mbledhje sot në orën 11:00. Kjo mbledhje do të zhvillohet në selinë blu, teksa vjen në një kohë kur Basha ka njoftuar se pas 6 Marsit do të bëjë një analizë të thellë të rezultatit, e ku gjithkush, përfshirë edhe atë, do të mbajë përgjegjësi.
Ai pranoi humbjen pak ditë më parë, por nuk e bëri fajtor veten e tij si kryetar i PD-së, pasi sipas tij, kjo do të dalë pas procesit të reflektimit dhe analizës që do të bëhet.