Uniformat blu kanë vënë në pranga një 29-vjeçar, pasi akuzohet për “shfrytëzim prostitucioni”. Personi në fjalë nuk është një emër i panjohur, pasi ai ka qenë protagonist në një emision. Burime për “ABC”, bëjnë të ditur se i arrestuari është Alban Dyrmishi, ish-konkurrent i emisionit “Për’puthen”.
Ndaj Dyrmishit rëndojnë dy akuza, për veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”. Ai raportohet se pasi kishte marrë një ambient me qira, në rrugën “Sami Frashëri”, e kishte përshtatur si qendër masazhesh ku kishte të punësuara vajza të reja.
Por përveç aktivitetit të regjistruar ligjërisht, ushtronin dhe aktivitetin e kundërligjshëm të prostitucionit.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, finalizuan operacionin policor të koduar “Camouflage”. Në sajë të këtij operacioni, u bë i mundur ndalimi i shtetasit Alban Dyrmishi, 29-vjeç, për veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”.
Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht dy punëtoret, shtetaset F. D., 19-vjeçe dhe E.T., 20-vjeçe, për veprën penale “Prostitucioni”.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.