Nënë Liza, pas takimit me kryeministrin Rama është shprehur mosbesuese për atë që i premtuan. “E do shtëpinë këtu? Këtu s’ta sjell dot”, ka thënë Rama.
Ndërkohë nënë Liza thekson se nuk kanë marrë asnjë garanci. “Asnjë garanci, fjalët i merr era. Unë nuk marr shtëpi me taksa, e nuk na ka dhënë asnjë afat. Nuk besoj gjallë, i merr era, 50 këtu eee. Jo s’dal nga shtëpia, kontratë e firmos kur ta marr nga Bashkia. E di kur ulena, kur ta vulosi kryetari i Bashkisë me noter e me të gjitha. Nuk kam mundësi me i fal shtetit. Metrat katrore i dua të gjitha, nuk kërkoj vilë, dua shtëpinë si kam pasur. Isha në proces legalizimi, na e kanë bllokuar”, ka thënë ajo.
Sot banorët e “5 Majit”, Laprakës dhe të Paskuqanit, zhvilluan një protestë para Kuvendit, kundër shembjes së banesave të tyre, për të cilat thonë se Bashkia ka hartuar një kontratë të njëanshme. Protesta kulmoi me ardhjen e kryeministrit Edi Rama, i cili zgjodhi të takonte një përfaqësi të tyre, brenda ambienteve të Kuvendit.