Prokurorët belgë ndodhen në Shqipëri për dosjen e “Toyota Yaris”. Ata kanë kërkuar të marrin në pyetje Lulzim Bashën. Belgjika nuk heq dorë nga zbardhja e dosjes “Toyota Yaris”, ku u kapën 3.4 milionë euro, çështje e përdorur nga opozita për të akuzuar ashpër kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Një grup prokurorësh belgë, prej gjashtë personash, ndodhen në Shqipëri për dosjen e “Toyota Yaris”, të cilët nuk kanë hequr dorë nga marrja në pyetje e Lulzim Bashës. Prej 3 ditësh prokurorët belgë ndodhen në Tiranë, ndërsa mësohet se nuk do të largohen pa marrë në pyetje kryedemokratin.
Burimet bëjnë me dije se tre prokurorë, dy oficerë dhe një shef policie nga Belgjika, janë takuar me prokurorë të SPAK dhe të Prokurorisë Tiranë pikërisht për zbardhjen e kësaj dosje, por edhe lidhur me hetimet për një grup kriminal të trafikut të drogës, të cilët pastrojnë paratë në Shqipëri.