Imzot George Frendo i kalon sot detyrën e Arqipeshkvit të Kishës Katolike, Imzot Arjan Dodaj. Ceremonia e marrjes së detyrës së Arqipeshkvit të ri të Kishës Katolike Shqiptare Arjan Dodaj, ka bërë bashkë tre figurat më të rëndësishme politike në vend. Të pranishëm janë kryeministri Edi Rama, presidenti Ilir Meta dhe kreu i PD-së, Lulzim Basha.
Imzot George Frendo dha dorëheqjen nga kujdesi baritor i Kryedioqezës Mitropolitane Tiranë-Durrës, dhe emëroi Arqipeshkv të Tiranës dhe Durrësit ndihmësin e tij Arjan Dodaj. Imzot George Frendo mbajti postimin e Arqipeshkv të Tiranës dhe Durrësit për 5 vite nga emërimi i tij më 17 nëntor 2016.
Imzot George Frendo tha se shqiptarët dhe Shqipëria do të jenë gjithmonë në zemrën e tij, por shtoi se iu duk e drejtë që vitet e fundit të jetës së tij, t’i kalojë në vendlindje. Ai përcolli mesazhe të forta ku tha se politika mund të ndryshojë e të përmirësojë strukturat, por besimi mund të arrijë atje ku nuk arrin politika, mund të ndryshojë zemrat. Të gjithë bashkërisht mund të angazhohemi për një Shqipëri më të drejtë, më vëllazërore.
“Gjithmonë e kam dashur Shqipërinë dhe shqiptarët, dhe te ky popull kam gjetur dashuri e respekt më shumë se sa meritoja. Falenderoj popullin shqiptar që u bë edhe populli im. Do largohem nga Shqipëria me keqardhje, por mu duk e drejtë t’i kaloj vitet te fundit të jetës sime në vendlindje.
Do mbeteni pjesë e zemrës sime e do ju kujtoj me lutje. Politika mund të ndryshojë e të përmirësojë strukturat, por besimi mund të arrijë atje ku nuk arrin politika, mund të ndryshojë zemrat. Le të angazhohemi më shumë për një Shqipëri më të drejtë, më të vëllazërore.
I drejtohem pasardhësit tim, për më shumë se 4 vite kemi punuar ngushtë bashkë. Emri yt do të përmendet në meshë çdo ditë e kjo do të thotë se nuk do jesh vetëm në zbatimin e detyrës tënde, është një dioqezë me ty. Je shumë më i ri se unë dhe je shqiptar, që do të thotë se je më i aftë se unë për të kuptuar mentalitetin, psikologjinë e kulturën e këtij vendi. Për këto avantazhe që unë nuk i kisha, le të jenë për t’y një dhuratë që të bën shumë më afër deleve që Zoti do të të dhurojë”, tha ai.