Nga Korça, presidenti Meta është shprehur se do të garojë në zgjedhjet e para, pasi të heq kostumin. Pas 24 korrikut, Meta tha se do të kthehet te populli i “2 Marsit”. Ai shtoi se zgjedhjet e 25 prillit nuk u fituan nga Rama, por u shitën.
Kreu i Shtetit, Ilir Meta, pohoi se nuk pret me asnjë interes vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shkarkimin e tij. Meta i mëshoi fort faktit se pret të lirohet nga posti i presidentit, dhe t’i bashkohet popullit të 2 marsit në beteja të vërteta.
“Nuk kam asnjë koment për çështje që janë në proces. U uroj të gjithëve qytetarëve të Korçës mbarësi. Jo nuk kam asnjë interes se çfarë do vendosë Gjykata Kushtetuese për vendimin e Parlamentit, për të shkarkuar presidentin.
Do të vazhdojmë deri më 24 korrik. Mezi po pres të shpëtoj nga shoqëruesit dhe këto makinat e policisë. Mezi po më pres popullin e 2 marsit. Po pres t’i jap më të mirën time atij populli që mbron qytetarët shqiptarë që dalin në mes të natës, në mënyrë të dhunshme në mes të rrugës.
Unë do të kthehem te populli i 2 marsit. Rama nuk ka fituar. Ka qenë ndeshje e shitur që pa filluar. Nuk kam asnjë premtim për të bërë, sepse nuk marr pjesë në zgjedhjet e 6 marsit. Në zgjedhjet më të para pasi të heq kostumin e presidentit, më keni në beteja të vërteta. Ilir Meta nuk është nga ata që i shet ndeshjet”, deklaroi Meta.