Dy janë pistat e hetimit sa i takon ngjarjes së rëndë ndodhur një ditë më parë, ku një 27 vjeçari i shpërtheu në dorë një sasi lënde plasëse.
Një nga pistat e hetimit për vdekjen e 27-vjeçarit Erion Rexhepi, në Cërrik është se i riu e ka gjetur lëndën plasëse në rrugë, sapo ka dalë nga shtëpia, ndërsa pista tjetër është ajo e përdorimit të tij si i paguar për të kryer një atentat.
Ndër të tjera mësohet se mina me telekomandë ka pasur të paketuar një sasi prej 250 gr lënde shpërthyese C 4, e cila dyshohet se do të përdorej për një atentat të dështuar.
Kujtojmë se ngjarja e rëndë ka ndodhur mesditën e së enjtes në aksin rrugor Elbasan-Belsh, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i lagjes nr. 3”, Cërrik, ku shtetasit Erion Rexhepi, 27 vjeç, i ka shpërthyer një sasi lëndë plasëse në dorë dhe për pasojë ka humbur jetën.
Fqinjët e 27-vjeçarit, Erion Rexhepi që humbi jetën në Cërrik pasi i shpërtheu lënda plasëse në dorë, thonë se ai ishte djalë i mirë dhe vinte nga një familje në kushte të vështira ekonomike. Ata thanë se viktima punonte në mbledhjen dhe përpunimin e kallamëve.
“Ishte djalë i mirë, i qetë. Unë isha në shtëpi, kur vajtëm aty kishte mbaruar çdo gjë. Njerëz familjarë, hallexhinj, shumë të rregullt. Na ka ardhur shumë keq. Po habitemi edhe vetë, disa thonë me bombol gazi, disa me granatë. Janë familjarë, me 3 fëmijë, i ati e ëma janë besimatarë. Ai ka tre fëmijë”, thanë fqinjët.