Nga: Andi Bushati
Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka bërë një ndërhyrje flagrante në konfliktin e një organizate politike, aq sa për nga brutaliteti dhe arroganca do t’ia kishte zili dhe pasardhësi i saj i largët Rajerson, që mbërriti në Shqipëri menjëherë pas rënies së komunizmit.
Që nga koha e këtij të fundit, në këtë vend, është bërë pothuajse normalitet që diplomatët amerikanë të përzihen në punët e brendëshme të një shteti sovran, madje duke u angazhuar si palë në garën mes forcave politike që luftojnë për pushtet. Sa për hir të historisë sonë të veçantë në marrëdhëniet me SHBA-në, po aq edhe për një mentalitet shqiptar, që imponon kërrusjen përpara perandorive, qofshin ato otomane, ruse apo kineze, një gjë e tillë është konsideruar nga shumica si normalitet.
Kërkush nuk ka tentuar, ta shohë këtë si një padrejtësi, apo si një shkelje të nenit 41 të Konventës së Vienës, që i ndalon diplomatët e akredituar në një shtet ta kalojnë limitin e ndëhyrjes së tyre. Madje edhe kur ky nen i famshëm, u bë lajm nga regjimi autokratik i Erdoganit, që i detyroi dhjetë shtetet më të rëndësishme të perëndimit të zbytheshin nga qëndrimet e tyre kundër burgosjes së opozitarit turk Osman Kavala, askush nuk tentoi të hiqte një paralelizëm me qasjen simetrike që ambasadorët e këtyre vendeve duhet të mbanin edhe tek ne.
Por, këtë herë, ky limit i përdhosur prej kohësh u shty edhe më tej. Ambasadorja amerikane kapërceu edhe një kufi, duke u bërë palë jo më në punët e një vendi, por edhe në sherrnajën e brendëshme të një partie politike si PD-ja.
Intervista e saj e kërkuar enkas në Top Channel, pikërisht në ditën që Sali Berisha do shpallte mbledhjen e 4200 firmave dhe 24 orë pasi ish shefi i shërbimeve sekrete të presidentit Trump, Grenell, pohoi se nuk kishte parë gjatë detyrës së tij prova për shpalljen “non grata” me lobimin e Soros, ishte një mbështetje e hapur për njërin grup demokratësh, në dëm të tjetrit.
Edhe këtu, në pamje të parë, duket sikur nuk ka asnjë problem të madh, për sa kohë asnjëra nga palët, madje as ajo e dëmtuara, nuk u ankua për shkeljet që diplomatët amerikanë u bëjnë angazhimeve që shteti i tyre ka marrë ndërkombëtarisht. Në mendjet e të gjithëve, në Shqipëri, është ngulur ideja fikse se Amerika është mbi ligjin.
Prandaj, edhe analiza që duhet bërë nuk është në rrafshin moral, se sa ka të drejtë të ndërhyjë ambasadorja, po se sa efikasitet ka hapi që ajo hedh.
Edhe në këtë prizëm, shfaqja brutale e Yuri Kim ishte e panevojshme, mendjelehtë dhe jo efikase. Nëse qëllimi i saj i dukshëm ishte që të merrte anë pro Bashës dhe kundër Berishës, duhet pranuar se ndikimi i saj në këtë qerthull mund të jetë pranë zeros. Dhe jo për shkak të fajeve të PD-së, por si rrjedhojë e qëndrimeve të mbajtura nga ambasada amerikane prej kohësh.
Në mendësinë e një votuesi të PD, ambasada amerikane është ngulitur si një faktor mbështetës për regjimin e Ramës. Kur i ka parë përfaqësuesit e saj t’i tregojnë se: lufta e Saimir Tahirit ndaj drogës është një histori suksesi; Se reforma në drejtësi po përparon pa u kapur politikisht nga regjimi; Se zgjedhjet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese janë një hap përpara, ndonëse Venecia i konsideroi në shkelje të ligjit themeltar të shtetit; Se Rama ka të drejtë të shkojë përtej marrëveshjes së 5 qershorit me garanci amerikane; Se ai e fitoi në mënyrë të drejtë dhe të ligjshme 25 prillin dhe është një kryeministër legjitim, pra, kur i ka dëgjuar të gjitha këto, një militant demokrat e ka të vështirë të bindet se po i thuhet e njëjta e vërtetë me atë që ai beson. Ai është i prirur ta pranojë ndershmërinë e goditjes ndaj Berishës, kohën dhe mënyrëm me të cilën u ekzekutua ajo, po në të njëjtën masë sa ka pranuar edhe ato që u përmendën më lart.
Prandaj në këtë kuptim dhe nga ana pragmatike, ndërhyrja e Ambasadores Kim është krejtësisht e pa efektshme. Ajo është një lëvizje e çorodtitur që kapërcen normat e lejuara për një diplomat, pa arritur të krijijojë efekt. Ajo i ngjan një marshimi moskokçarës elefanti në një butik kristalesh, pa u merakosur për pasojat që lë pas.
Natyrisht, kjo mungesë inteligjente kalkulimi është pasojë e aktit të pamenduar, jo proporcional dhe jo simetrik në arenën politike, që u bë me non grata-n e Berishës.
Ky vendim që ka ngjallur habinë dhe përçmimin edhe të diplomatëve europianë, që është shndërruar në objekt tallje për ata që e shohin korrupsionin vetëm tek një lider i dalë në pension, ndërkohë që pozojnë çdo ditë me të tjerët që kanë vjedhur para publike, duke fallcifikuar dokumenta të shtetit amerikan, i ka futur në ngërç diplomatët e SHBA në Tiranë. Duket sikur ata vazhdojnë të gabojnë në vijimsi, në një përpjekje sizifiane për të korrigjuar gabimin fillestar. Dhe më e keqja është se sa më shumë tentojnë, aq më shumë dështojnë. Prova është se falë tyre dhe për të keqen e pjesës më të madhe të shqiptarëve, sa më tepër që ata po e luftojnë Berishën aq më shumë po rritet ai brenda PD-së. /Lapsi.al