Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e ish-gjyqtares së Krujës, Enkeleda Hoxhës, e cila kërkonte kthimin e vlerës monetare të sekuestruar në banesën e saj, gjatë kontrollit disa muaj më parë.
Sipas pretendimeve të ish-gjyqtares, lekët e sekuestruara janë pensione dhe kursimet e prindërve, dhe u duhen atyre për nevoja jetike. Në seancë ka qenë e pranishme edhe vetë gjyqtarja, e cila e përlotur është shprehur se fëmijët dhe prindërit e saj janë në kufijtë e mbijetesës. Ndërsa prokurorët kërkuan rrëzimin e kërkesës, gjë që u pranua nga Gjykata e Posaçme.
Enkeleda Hoxha u vu në pranga me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, pasi dyshohet se me 9 persona të tjerë kishin ngritur një skemë përmes të cilës ulnin dënimet ose lironin nga burgu të dënuar për vepra të rënda penale. Mes të arrestuarve janë avokati Aldo Tabaku si edhe sekretarja e Gjykatës së Krujës, Manuela Mallakuçi.