Nga: Mentor Nazarko
Të gjithë duken të lumtur pas marrëveshjes me tri pika të Brukselit për targat: Serbia thotë që Veriu i Kosovës do ruajë targat e saj; ikën Policia kosovare dhe vjen KFOR-i, zoti Kurti thotë që imponuan reciprocitet në mbulimin e simboleve të shteteve në targa dhe larguan barrikadat; opozita e Kosovës e kritikon marrëveshjen duke e konsideruar dorëzim sovraniteti dhe quan gabim barazimin e trupave të Forcave Speciale me barrikaduesit e paligjshëm.
Apo më shumë opozita konsideron se u legjitimua skenari, në bazë të të cilit sa herë që barrikaduesit ngrihen, Kosova duhet të negociojë me Serbinë për çështje që lidhen me territorin e saj. Opozita thotë më në fund se Veriu e ruajti apo e theksoi lidhjen me Serbinë, ndërsa Kosova mbetet në statuskuo në lidhje me autoritetin e saj në këto tri komuna. Në kushtet ku ndodhet Kosova- në prag të zgjedhjeve lokale dhe në ato që gjendet Serbia-në prag të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në fillim të vitit tjetër, kjo është një marrëveshje që duket se ka pjesërisht elementë reciprociteti, që lidhet vetëm me shenjat e shtetësisë në targa.
Elementi i dytë: shtyrja e problemit në kohë, në dy faza, në 4 dhe 21 tetor, kur do fillojë nga puna një grup trepalësh. Marrë në tërësi, pra, marrëveshja e Brukselit është një zhvillim pozitiv sa i takon uljes së tensioneve, shmangies së përplasjes së dy shteteve, dy blloqeve apo e ndonjë fataliteti. I dërguari amerikan gati ka pranuar se diplomacia e vendit të tij e ka qortuar Kosovën se me veprimin në kufi ka kërcënuar sigurinë e vet dhe atë ndërkombëtare. Mirëpo, kishim një teatër të sinkronizuar, një lloj drame zhvilluar njëkohësisht në disa skena: në shfaqjen e avionëve e tankeve në kufi, ndonëse dikush thoshte se ishin model i vjetër dhe jo MIG29; me postblloqe dhe polici speciale në Jarinjë e Bërnjak, në dy komunat serbe në Kosovë; një skenë teatri në Beograd ku Vuçiç bënte sikur ishte i sëmurë për Kosovën, duke anuluar 2-vjetorin e ‘Balkan Open’, ku duhet të merrte pjesë dhe Rama e Zaev në Novisad, duke anuluar takimet me ambasadorin rus dhe atë kinez, por duke u përfshirë në nenet e tekstit. Vuçiq doli dje dhe tha se çdo pikë e kishte propozuar ai.
Mirëpo, ajo që ndodhi, këto zhvillime dhe tensionimi që pasoi, i ngjanë pak skenarit teatral me trenin kinezo-rus me ndihma para disa vitesh, i cili nga disa vëzhgues u quajt i sintonizuar, i sinkronizuar, i marrë vesh mes Thaçit e Vuçiçit, të cilët fitonin pikë në opinionet publike respektive, duke u trimëruar përballë njeri-tjetrit… por me marrëveshje. Ne nuk e dimë nëse treni ishte drama me dy aktorët e lartpërmendur dhe a është e sintonizuar ngjarja e targave, pasi nuk kemi ende shumë elementë në dorë apo mbase nuk do ta marrim vesh kurrë. Dikush thotë madje se dhe Lajçak që ka interes të ketë sa më shumë suksese të vogla si ky, qëndron mbrapa inskenimit, pohim, që i lindur në terrenin pjellor të konspiracionit kosovar, megjithatë thekson elementë të ngjashëm të këtyre përplasjeve për veriun me Thaçin dikur dhe Kurtin sot. Gjithsesi, kjo përplasje problematizon dialogun e nivelit të lartë Kurti-Vuçiq, i cili nuk dihet se kur do të fillojë. Sepse me gjasë, palët janë larguar më shumë sesa më parë nga njëra-tjetra.
PËRPLASJA GLOBALE DHE ROLI AMERIKAN
Por cilësia më e rëndësishme, përplasjet Kosovë-Serbi janë duke marrë karakter global. Mu në ato dy pika kufitare praktikisht mund të shihej një përplasje miniaturiale e Lindjes me Perëndimin, e Rusisë me NATO-n, veçanërisht me iniciativën e Rusisë. Mu për këtë arsye kemi përfshirjen e SHBA-ve në dialog, me një emisar si Gabriel Escobar, i cili hë për hë u shfaq vetëm në dialogun për targat. Pas 9 muajsh akomodimi në zyra, administrata Biden po heq dorë nga ajo periudhë e parë, në të cilën zhvillimet në Kosovë ia kishte deleguar të dërguarit europian Lajçak, brenda një zhvillimi të arsyeshëm, sepse ky rol BEsë i është dhënë me një rezolutë të OKB të vitit 2010. E uritur për suksese, pas krizës së Afganistanit, megjithatë diplomacia amerikane, është ende e matur. Në pikëpamje kohore, ky është një zhvillim pozitiv pas një rënie në nivel të përfshirjes amerikane në krahasimin Trump-Biden: me Trumpin kishim një të dërguar presidencial amerikan si Grenell, ndërsa me Biden gjatë 9 muajve, ishte vetëm Lajçak që negocionte.
Escobar ndërkohë ka thënë se nuk përjashtohet mundësia e një emisari të përhershëm. Kësisoj, administrata amerikane e Biden po kthehet në modelin Trump, i cili kishte dy të dërguar, Palmer për Ballkanin dhe një presidencial, Grenell për dialogun Kosovë-Serbi. Escobar nuk u përfshi ama përballë dy palëve, në një anë të tryezës bashkë me Lajcak. SHBA-të nuk ishin ndërmjetës klasikë në një format të përbashkët me Europën. Kjo ishte droja amerikane sepse një përfshirje e tillë mund të sillte në skenë Rusinë: në momentin kur amerikanët do të merrnin njëanshmërisht një rol ndërmjetësues në këtë dialog bashkë me Europën, atëherë kjo mund t’i jepte të drejtë edhe Rusisë të përfshihej. Ky ishte një sqarim që e dha vetë Escobar ndonëse Lajçak dhe Escobar i kanë zhvilluar negociatat veç e veç, sepse në këtë teatrin serbo-kosovar që po zhvillohej në Bruksel, palët nuk kanë dashur t’i shtrëngojnë dorën njëri-tjetrit, as realisht, dhe as përballë kamerave.
Përfshirja amerikane në dialogun Kosovë-Serbi meriton dhe disa konsiderata të tjera paraprake. Ajo nuk është aq e nivelit të lartë sa ç’ishte me Grenell, ambasador i SHBA-ve në një ndër vendet më të rëndësishme të botës si Gjermania, ishte i dërguar presidencial; ushtrues detyre i shefit të 17 shërbimeve sekrete amerikane; këshilltar i Presidentit amerikan; kandidat për guvernator i Kalifornisë; në njëfarë mënyre zëdhënës i fushatës së Presidentit Trump dhe aktualisht, kandidat për Sekretar i Shtetit në administratën eventuale republikane. Që Biden t’i ngjajë Trump, i duhet kësisoj dhe goxha rrugë: i duhet ndoshta të krijojë një forum përfundimtar dialogu, nëse jo në Dejton, diku në Europë. Me praninë në raundin e fundit të Presidentit Biden si dikur Trump në Sallën Ovale që pretendoi çmimin Nobel? Apo si në Rambuje, në formën e një grupi mikst të dërguarish, që celebronin rezultatin e tyre me prani shefash diplomacie botërore? Forma mikse do ftonte në skenë rusët, ndërsa Presidenti Trump dukej se e kishte zgjidhur problemin me Putinin.