Detaje të rënda janë hedhur në dritë lidhur me ngjarjen e rëndë ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku kryefamiljari u gjet me shenja dhune e pa shenja jete në polici. Dyshimet janë se bashkëshortja dhe vajza të kenë dorë mbi këtë vrasje, e ndaj policia i ka shoqëruar në rajon.
Ylber Lezi është gjetur pa shenja jeta dhe i dhunuar në banesën e tij, mbrëmë rreth orës 22:30, ndërkohë që bashkëshortja Mine Lezi dhe vajza Aida Lezi, penguan policinë të futej në banesë. Mine Lezi, 41-vjeçe dhe 21-vjeçarja Aida Lezi janë shoqëruar për në komisariat, pasi dyshohet se kanë qëlluar me sende të forta kryefamiljarin, i cili ka mbetur i vdekur.
Po si u justifikua bashkëshortja e të ndjerit, kur policia u shkoi në banesë?
“Ylberi po fle gjumë”, ka thënë Mine Lezi kur policia kishte trokitur në derë, pas denoncimit të bërë nga fqinjët. Këta të fundit ishin shqetësuar nga ulërimat, ndaj kishin njoftuar policinë.
Nënë e bijë janë dërguar në Komisariat, për të dhënë dëshminë e tyre lidhur me ngjarjen.
Njoftimi i policisë
“Me datë 25.07.2021, rreth orës 22.30, në sallën operative të Komisariatit të Policisë Mat, ka ardhur një telefonatë se në banesën e shtetasit Y. L., në fshatin Gurrë e Vogël, Klos, po ndodhte një konflikt në familje. Menjëherë kanë shkuar shërbimet e Policisë drejt adresës së dhënë, ku shtetasja M. L., ka shfaqur rezistencë duke mos ju hapur derën shërbimeve të Policisë. Shërbimet e policisë kanë hyrë me forcë në banesë dhe kanë gjetur me shenja dhune në trup dhe pa shenja jete shtetasin Y. L, 47 vjeç. Janë shoqëruar në Komisariat bashkëshortja shtetasja M. L, dhe vajza e tyre A. L., dhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Mat, vijon puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin me prova ligjore të saj”, është njoftuar nga policia.