Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e qeverisë për pushimin e çështjes për ligjshmërinë e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019 dhe i dha kohë palëve të rishikonin dosjen. Seanca e zhvilluar sot erdhi pas kërkesës së kryebashkiakes së Shkodrës, Voltana Ademi, e cila si kryetare e Shoqatës së Bashkive, ka kërkuar shpalljen si të pavlefshme të zgjedhjeve të 2019. “Këshilli i Ministrave kërkon pezullimin e çështjes, derisa gjykata e Tiranës të shprehet për organet drejtuesve te shoqatës. Kërkojmë pushimin e gjykimit për shkak të juridiksionit të gjykatës kushtetuese. Për aq kohë sa është pranuar shoqata e bashkive, duhet të pranohet edhe shoqata e autonomisë vendore”, tha përfaqësuesja e qeverisw, Elira Kokona. Por kjo kërkesë është rrëzuar, duke i dhënë pak kohë palëve të njihen edhe me dosjet e kërkuara.
Zgjedhjet e 30 qershorit 2019 u bojkotuan nga ana e opozitës së bashkuar, duke lënë Partinë Socialiste të vetme në garë, e sfiduar nga vetëm disa kandidatë të Bindjes Demokratike të Patozit. Ishte kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, me cilësinë e kreut të Shoqatës së Bashkive, e cila korrikun e kaluar paraqiti një kërkesë në Kushtetuese dhe kërkoi verifikimin e regjistrimit në këto zgjedhje të partisë së re, Bindja Demokratike. Kjo forcë politike u regjistrua për të marrë zgjedhje në limit të kornizave ligjore duke vënë në dyshim ligjshmërinë, sipas pretendimeve të Ademit. Vetë kreu i shtetit, Ilir Meta, pasi anuloi me një dekret 30 Qershorion, zgjodhi datën 13 tetor për të rizhvilluar zgjedhjet. Por as KQZ nuk ndërmori asnjë hap për zhvillimin dhe asnjë parti nuk u anagazhua për të marrë pjesë në to.
Refuzohen Veliaj e Ndreu
Gjykata Kushtetuese vendosi të rrëzojë që në fillim kërkesën e qeverisë për të pezulluar çështjen derisa gjykata e Tiranës të shprehet për shkarkimin e Voltana Ademit nga posti i kryetares së Shoqatës së Bashkive dhe zëvendësimin e saj nga Pjerin Ndreu. Më pas, kjo gjykatë rrëzoi kërkesën e kryetarit të Shoqatës së Autonomisë Vendore, njëherazi kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj për të qenë palë në procesin për zgjedhjet e 30 qershorit 2019. Presidenca u shpreh kundër kërkesës së Veliajt dhe Gjykata Kushtetuese nuk pranoi që kryebashkiaku të marrë pjesë në proces. Ndërkohë, pas shumë debateve mes palëve, Gjykata Kushtetuese ka vendosur të lejojë si dëgjues përfaqësuesin e Partisë Demokratike, Ivi Kaso, për të ndjekur nga afër seancën që po zhvillohet sot për zgjedhjet lokale të 30 qershorit.
Gjatë seancës së sotme u rrëzuan gjithashtu edhe kërkesat e avokatit të shoqatës së bashkive, Jordan Daci, I cili kërkoi përjashtimin e Këshillit të Ministrave, duke e argumentuar se pushteti lokal është i pavarur. “Nuk duhet të marrë pjesë si subjekt i interesuar, pasi janë në konflikt interesi. I kërkojmë Gjykatës Kushtetuese që mos ta pranojë pasi është jashtë afateve. Këshilli i Minstrave nuk mund të jetë palë e interesuar, pasi pushteti lokal është i pavarur. Edhe avokatura e shtetit, nuk mund të jetë palë në këtë proces, pasi i shërben gjithë shtetit dhe nuk mund të përfshihet”, tha Daci. Por kjo kërkesë e Dacit u rrëzua./Tirana Today