Në kulturën tonë, të famshmit bëhen mite, dhe çdo veprim i tyre publikohet, kontrollohet dhe ri-formatohet për t’iu përshtatur rrëfimit mitik. Kjo do të thotë që edhe vdekjet e tyre mitologjizohen, dhe kjo ka çuar në një numër historish dhe teorish të çuditshme konspirative rreth rrethanave që lidhen me vdekjet e tyre.
Mbytja e çuditshme e aktores amerikane Natali Ud
Aktorja e famshme vdiq në vitin 1981, teksa ndodhej në jahtin e bashkëshortit të saj Robert Vagner, së bashku me aktorin tjetër të njohur Kristofer Uoken dhe kapitenin e anijes Denis Davern. Ajo që dihet nga policia është se Ud vdiq nga mbytja dhe hipotermia. Gjithçka tjetër mbetet e panjohur.
Në gjakun e saj u gjetën sasi të mëdha alkooli si dhe disa pilula të zakonshme. Natali debatoi ashpër me Vagner atë natë. Me sa duket, atë mbrëmje ajo kishte flirtuar me Uoken, gjë që mund ta ketë zemëruar Vagnerin. Mister mbetet fakti qëUd vdiq e mbytur në det, pavarësisht faktit se ajo e kishte tmerr ujin dhe nuk dinte të notonte.
Çfarë e vrau Hith Lexher?
Ai ishte një nga aktorët më të famshëm të Hollivudit. Ndaj vdekja e tij e papritur dhe e parakohshme në moshën 28 vjeçare i habiti të gjithë, duke shkaktuar jo pak spekulime të jashtëzakonshme. Në kohën e vdekjes, Lexher sapo kishte përfunduar xhirimet e skenave në filmin “Joker:The Dark Knight”.
Ai rol e kishte zhytur në një gjendje depresive. Për ta interpretuar sa më mirë rolin e kllounit psikopatik, për muaj me radhë Lexher kishte qëndruar vetëm i mbyllur në një dhomë hoteli,kohë në të cilën ai mbajti edhe një ditar që duket si ai i një vrasësi serial. Edhe pse u tha se vdekja e tij u shkaktuar nga një mbidozë aksidentale ilaçesh, fansat e aktorit dyshojnë për një vrasje.
Merilin Monro, çfarë ndodhi në fakt me divën e Hollivudit?
Modelja dhe aktorja ishte një seks simbol në vitet 1950-1960. Prandaj vdekja e saj e hershme në moshën 36 vjeçare, do të nxiste shumë spekulime në mbarë botën. Zyrtarisht policia tha se Monrou u vetëvra përmes një mbidoze ilaçesh.
Por pa asnjë dëshmitar të ngjarjes dhe me shumë lidhje me njerëz të pushtetshëm në atë kohë, vdekja e saj vazhdon të shoqërohet më shumë teori konspirative. Dhe emrat më të lakuar në këto teori janë Robert Kenedi, Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, dhe vëllai i presidentit Xhon F.Kenedi.
Shumë kanë spekuluar se të dy kishin një lidhje të fshehtë dhe se Robert e vrau atë për të fshehur lidhjen, sepse ajo dinte shumë sekrete të familjes Kenedi, apo se CIA e vrau për të shmangur vëmendjen nga dështimi i operacionit për të rrëzuar nga pushteti Fidel Kastron në Kubë. Një tjetër teori është se Merilin u vra nga mafia në shenjë hakmarrje ndaj familjes Kenedi për luftën e saj kundër krimit të organizuar.
Çfarë dimë dhe çfarë jo për vdekjen e Dianës, Princeshës së Uellsit
Princesha Diana pëlqehej nga miliona njerëz pasi ishte pjesëtarja me sjelljen me modeste e familjes mbretërore britanike. Asaj nuk i pëlqente luksi që i ofronte pozita që mbante, dhe më shumë kohë kalonte duke ndihmuar organizata bamirëse sesa duke pozuar gjatë takimeve me personalitete të famshëm.
Vdekja e saj në moshën 36 vjeç nxiti një sërë spekulimesh. Ajo vdiq në një aksident rrugor më 31 gusht 1997 në Paris, ndërsa ndodhej në ulësen e pasme të makinës që po ndiqej nga disa fotografë. Shoferi Henri Pol kishte konsumuar 3 herë më shumë alkool sesa norma e lejuar për një drejtues mjeti, dhe po ecte me një shpejtësi 2 herë më të madhe sesa lejohej në një tunel të errët.
Vetë Diana dyshohet se kishte shkruar një letër rreth 10 muaj para aksidentit, në të cilën ajo pretendonte se ish-burri i saj Princi Çarls po planifikonte një komplot për ta vrarë, përmes sabotimit të frenave të makinës së saj.
Xhimi Hendriks
Ai konsiderohet si kitaristi më i mirë në historinë e muzikës. Me vetëm 4 albume në 4 vite, ai e ndryshoi plotësisht perceptimin e publikut mbi kitarat elektrike. Vdekja e tij më 18 shtator 1970, në moshën 27 vjeçare tronditi botën. Ekspertiza mjeko-ligjore tha se vdekja u shkaktua nga asfiksia e shkaktuar nga të vjellat për shkak të një mbidoze droge.
Por mjeku që kreu ekzaminimin,tha se kishte “prova të pamjaftueshme” për të përcaktuar nëse ishte vetëvrasje apo vrasje. Personi i fundit që e pa gjallë Hendriks ishte e dashura e tij Monika Daneman, e cila përgjatë viteve ka dhënë dhjetëra versione të ndryshme dhe kontradiktore mbi ngjarjet e asaj nate.
Tupak Shakur
Mbetet një nga më të mëdhenjtë e rrymës hip-hop. Tekstet e këngëve të tij preknin plagë të thella sociale. Por vrasja e tij në moshën 25-vjeçare mbetet ende e pazbardhur. Shakur u qëllua për vdekje në një makinë në Las Vegas. Autorët e krimit nuk u kapën dhe nuk u identifikuan kurrë.
Një nga teoritë thotë se Shakur po synonte të braktiste studion muzikore “Death Row Records”, dhe se pronari i saj Saxh Najt nuk donte të humbiste gjithë ato të ardhura që i sillte reperi i njohur. Edhe pse Najt ishte në makinë me Shakur gjatë atentatit, nuk u godit nga asnjë plumb, ndërsa Shakur u godit nga 4 të tillë.
Burimi i lajmit: Listverse. Përshtatur nga TIRANA TODAY