Nga Clare Nuttall “Intellinews”
Ekonomitë e varura nga turizmi të Shqipërisë, Kroacisë dhe Malit të Zi, shpresojnë që vera e këtij viti të sjellë sërish një numër të madh turistësh në brigjet plot diell të Detit Adriatik. Sfida e tyre do të jetë të bindin pushuesit se një udhëtim drejt këtyre vendeve, nuk do t’i rrezikojë ata që të preken nga Covid-19.
Ndërkohë, pavarësisht nga pandemia ndërtimi i hoteleve dhe i resorteve të reja ka vazhduar me ritme të larta në këtë rajon, dhe disa prej tyrei hapën dyert për herë të parë për turistët që u rikthyen në rajon përpara fundjavës që i parapriu Pashkëve Ortodokse në fund të prillit.
Operatorët e tjerë të hoteleve, i përdorën periudhat e mbylljes për shkak të pandemisë për të rikonstruktuar objektet e tyre. Ndërkohë ka plane madhore, sidomos në Shqipëri, për të investuar shumë në aeroporte dhe infrastrukturën tjetër që ka lidhje me turizmin.
Megjithatë, kjo nuk do të sigurojë domosdoshmërisht një sezon të suksesshëm veror,në rast se rajoni nuk është i sigurt për udhëtime. Kjo është arsyeja pse fushatat e ndërmarra nga disa zyra turistike kombëtare në rajon, janë përqendruar në paraqitjen e vendeve të tyre si destinacione të sigurta.
Në mesin e këtij muaji, Bordi Kombëtar i Turizmit i Kroacisë (CNTB) njoftoi fillimin e fushatës së tij “Më beso, kam qenë atje” për të inkurajuar vizitimin e këtij vendi gjatë sezonit të verës. Fushata synon 12 tregje kryesore kryesisht nga Evropa Qendrore, plus Franca, Britania e Madhe, Holanda dhe Rusia.
Ndërsa paraqet një ofertë specifike për secilin treg – për shembull dielli, deti dhe eno-gastronomia për gjermanët, kultura për francezët, Dalmacia dhe Makarska Riviera për polakët – mesazhi i përgjithshëm është se Kroacia është një destinacion i sigurt.
“Kjo është një fushatë e re, ndryshe nga të gjitha të mëparshmet. Pasi është e personalizuar dhe e rregulluar sipas preferencave të secilit treg individual”-tha drejtori i CNTB Kristjan Staniçiç. Vitin e kaluar Kroacia ishte një nga vendet e para që u hap për turizmin në shkallë të gjerë, dhe sektori eci shumë më mirë sesa pritej fillimisht.
Sidoqoftë, sezoni turistik u mbyll papritur në fund të verës, kur pati një rritje të madhe të rasteve, shumë prej tyre për shkak të mos respektimit të distancës në destinacionet më të njohura turistike. Situata në Malin e Zi ishte edhe më e keqe, pasi u deklarua si një vend pa Covidnë qershor, vendi i vogël përjetoi një valë të re rastesh gjatë verës.
Mali i Zi pësoi vitin e kaluar rënien më të thellë të PBB-së në të gjithë rajonin e Evropës në zhvillim në vitin 2020, ndërsa Kroacia ishte pas tij. Këtë vit Podgorica është aq e etur të tërheqë turistët e huaj, saqë Ministrja e Shëndetësisë Jelena Bojoviç dhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik Jakov Milatoviç njoftuan më 19 maj se të gjithë turistët që do të hyjnë në vend me koronavirus, do të kenë trajtim falas në sistemin shëndetësor, dhe të gjithë turistët do të pajisen me një test PCR falas për t’u kthyer në vendin e tyre.
Shqipëria, që verën e vitit të kaluar u vizitua kryesisht nga qytetarët e fqinjëve të saj pa dalje në det, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, synon që të tërheqë sa më shumë turistë këtë vit. Por përpjekjet e saj morën një goditje të fortë nga komentet negative të Ministri gjerman të Shëndetësisë Jens Shpan, që shkaktuan reagimin e ashpër të kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama.
Shpan deklaroi në një intervistë për gazetën gjermane “BILD” se gjysma e rasteve me Covid-19 në Gjermani verën e kaluar u shkaktuan nga vizitat tek të afërmit e emigrantëve në Turqi dhe Ballkan. Duke reaguar po për “BILD”2 ditë më vonë, Rama tha se “nuk do të lejojë që Shqipëria të portretizohet si një vend i rrezikshëm për udhëtime turistike, pasi nuk ka të dhëna që e provojnë këtë gjë”.
Në Shqipëri investimet mbi objektet e reja të turizmit dhe rikonstruksionet e objekteve ekzistuese, vazhduan edhe gjatë pandemisë. Rama, që do të nisë një mandat të tretë pasi
fitoi zgjedhjet parlamentare të mbajtura në muajin prill, ka folur mbi planet e tij për ta kthyer Shqipërinë në një“kampione” të turizmit.
Ai synon të rrisë numrin e turistëve mbi shifrën 6 milionë të regjistruar në vitin 2019. Qeveria e tij ka plane për një zgjerim të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës dhe për hapjen e një aeroporti të dytë ndërkombëtar në Kukës, që do të shërbejë për linjat ajrore me kosto të ulët, i inauguruar në fillim të këtij viti.
Ka plane për ndërtimin e aeroporteve të rinj në Vlorë, Sarandë dhe ndoshta qytete të tjera, si dhe për të ndërtuar një port në Durrës. Ndërkohë, është njoftuar hapja e disa hoteleve të reja. German Maritim hapi hotelin e tij të dytë në Vlorë në muajin Prill.
Peter Venel, zyrtari kryesor operativ i “HMS Hotel Management Services International GmbH”, thotë se ai sheh “një potencial të madh zhvillimi në bregun perëndimor të jugut të Shqipërisë”, duke e vënë theksin tek plani për një aeroport që do t’i shërbejë qytetit të Vlorës.
burimi: https://www.intellinews.com/the-challenge-of-wooing-tourists-back-to-the-adriatic-211500/?source=albania
Përshtatur për Tirana Today