Greqia nuk e mbështet ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut, përsa u përket negociatave për anëtarësimin në BE. Edhe pse ky propozim, i cili erdhi fillimisht nga komisioneri i Zgjerimit, Oliver Varhelyi, po diskutohet nga vendet anëtare, Athina zyrtare duket se është kundër ndarjes së rrugës së integrimit europian të Shkupit dhe Tiranës.
Në një përgjigje për Gazetën “Si”, Ambasada Greke në Tiranë thotë se vendi fqinj mbështet hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut përpara korrikut dhe se integrimi i rajonit të Ballkanit Perëndimor duhet të jetë në krye të agjendës së BE-së.
“Ne kemi nevojë të mbajmë vrullin. Për këtë qëllim, Greqia mbështet plotësisht përpjekjet për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme që të adresojë shqetësimet e ngritura nga Bullgaria. Prandaj, dhe për të shmangur dërgimin e mesazheve të gabuara në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Greqia mbështet plotësisht hapjen e negociatave të pranimit si për Shqipërinë ashtu edhe për Maqedonia e Veriut duke mbajtur Konferencat e para Ndërqeveritare, në të njëjtën kohë, sa më shpejt të jetë e mundur, gjatë Presidencës Portugeze”, thotë ambasada për Gazetën “Si”.
Ideja e ndarjes së Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut vjen ndërkohë që Bashkimi Europian pritet të marrë një vendim për mbajtjen ose jo të konferencës së parë ndërqeveritare në qershor, një muaj përpara se Portugalia të dorëzojë presidencën e BE-së. Megjithatë, qeveria teknike në Bullgari nuk ka dhënë sinjale se do ta heqë veton ndaj anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut, duke bërë që Varhelyi të ngrinte mundësinë që Komisioni të vazhdonte përpara vetëm me Shqipërinë. Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut kanë mosmarrëveshje për një sërë çështjesh historike si dhe për gjuhën maqedonase, për të cilën Sofja pretendon se ka origjinë bullgare.
Pas arritjes së Marrëveshjes së Prespës, e cila çoi në ndryshimin e emrit të vendit fqinj, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev ka paralajmëruar së fundmi se vendi i tij nuk do heqë dorë nga identiteti kombëtar në emër të integrimit europian. Deklaratat e prera si nga Sofja dhe Shkupi sinjalizojnë se arritja e një marrëveshje për heqjen e vetos ndaj integrimit do të jetë e vështirë të arrihet, duke bërë kështu rrjedhimisht të pamundur mbajtjen e konferencës së parë edhe me Shqipërinë. Në këto kushte, sipas raporteve nga qarqet diplomatike në Bruksel, ndarja e Tiranës dhe Shkupit është rikthyer sërish në tryezë.
I shqetësuar nga kjo mundësi, kryeministri maqedonas Zoran Zaev, ka realizuar dy vizita zytare, në Bruksel dhe Athinë, ku ka kërkuar që Maqedonia e Veriut të mos mbesë prapa në rrugën e integrimit.
Në Delfi, Greqi, në mesin e politikanëve të shumtë europianë dhe ekspertëve të ekonomisë që marrin pjesë në Forumin e sivjetshëm ekonomik, ndodhej këtë javë edhe kryeministri Zaev dhe zëvendësi i tij Nikola Dimitrov. Dy krerët e shtetit realizuan takime të shumta në përpjekje për gjetjen e një zgjidhjeje politike për ngërçin e negociatave. Siç raporton agjencia maqedonase e lajmeve “MIA”, Zaev ka kërkuar ndihmën e Greqisë për negociatat, duke deklaruar se vendi fqinj është një partner i rëndësishëm strategjik i Maqedonisë së Veriut. Edhe pse ky samit bëri bashkë një sërë liderësh ballkanikë, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama nuk ishte pjesë e tij dhe deri më tani nga kryeministria nuk ka asnjë shpjegim zyrtar.
Në këtë takim, Greqia ritheksoi nevojën për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Ballkanit dhe propozoi mbajtjen e një tjetër samiti me liderët ballkanikë përpara përfundimit të presidencës portugeze.
“Greqia është e vendosur fort për të ardhmen evropiane të rajonit dhe dëshiron të mbahen konferencat ndërqeveritare, si një hap i parë në negociatat e pranimit, si me Maqedoninë e Veriut ashtu edhe me Shqipërinë fqinje”, tha Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias në një takim me palën nga Shkupi. Në një postim në Twitter, ai e cilësoi Ballkanin Perëndimor si pjesë integrale të Europës dhe tha se rajoni nuk kishte të ardhme tjetër përveçse asaj europiane.
“Greqia është një nga miqtë tanë më të përkushtuar për perspektivën tonë të Bashkimin Europian”, deklaroi Zaev duke shpalosur detaje nga takimi që realizoi me homologun grek Qiriako Mitsotaqis, për të cilin tha se ka dhënë disa ide pozitive që mund të ndihmojnë në heqjen e bllokadës bullgare për marrjen e datës për çelje të negociatave me BE-në.
Duke folur në Forumin Ekonomik “Delfi”, Zaev shprehu optimizmin e tij për gjetjen e një zgjidhjeje me Bullgarinë, por shtoi se vendi ka nevojën e ndihmës së qeverisë greke.
”Mendoj se do të gjejmë një zgjidhje me Bullgarinë, na duhet ndihmë nga Greqia, e cila tani është partneri ynë strategjik. Greqia është shumë e zëshme në Këshillin Europian përmes Kryeministrit Mitsotakis, përmes Ministrit Dendias, ata janë shumë të përqendruar dhe udhëheqës në procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian,’’ tha mes të tjerash Zaev.
Për ministrin alternativ të Punëve të Jashtme të Greqisë, Militadias Varviciotis, ndarja e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut do të ishte një katastrofë për stabilitetin rajonal’. Në një panel të përbashkët diskutimi me zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut Nikolla Dimitrov, zyrtari grek i bëri thirrje Bashkimit Europian të mbajë premtimin dhe të mos krijojë vonesa për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
“Është e rëndësishme që procesi të fillojë menjëherë me të gjitha vendet kandidate. Ne nuk jemi të gatshëm të pranojmë asnjë ndarje mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, këtë e shohim si qasje katastrofale për stabilitetin rajonal”, shtoi shefi alternativ i diplomacisë greke.
Ministri grek ka theksuar edhe benefitet që ka Athina nga integrimi i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në Bashkimin Evropian, kjo për vetë faktin se më në fund Greqia do të kufizohej në Veri dhe Perëndim vetëm me vende anëtare të Unionit./Gazeta Si