Anëtari i Kryesisë dhe kandidati i vetëshpallur për kreun e Partisë Demorkatike, Fatbardh Kadilli, vijon të akuzojë kryedemokratin Lulzim Basha duke e cilësuar si përgjegjësin e humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.
Sipas tij, Basha po shpërdoron besimin e demokratëve në mënyrë që të vazhdojë të mbajë karrigen e kryetarit të partisë.
I ftuar në emisionin ”Top Talk’’, Kadilli u shpreh se Basha nuk e mblodhi kryesinë pas daljes së rezultatit të zgjedhjeve, për të diskutuar se çfarë duhet bërë, por e bën diçka të tillë pasi i merr vetë vendimet.
Për Kadillin, vjedhja e votave dhe manipulimi i procesit zgjedhor, është alibia e Bashës për të qëndruar në krye të PD-së, dhe për të mbrojtur karrigen e tij.
Ndër të tjera, Kadilli tha se Partia Demorkatike i humbi zgjedhjet, dhe se për këtë fillimisht duhet të fajësojë veten, edhe pse kundërshtari mund t’i ketë vjedhur votat.
Fatbardh Kadilli: ”Përkundrazi, është shpërndoruar dhe po shpërndorohet dhe tani. Basha na fton të diskutojmë për masakrën elektorale dhe çfarë rruge duhet të ndjekim. Ndërkohë, në datën 26 kur u shfaq, përcaktoi vetë se çfarë duhej bërë. Pasi Rama festoi në shesh, Basha tha unë do të vazhdoj luftën për votën. Dhe çfarë bëri, nuk mblodhi kryesinë që të merrnim në konsideratë çfarë ka ndodhur dhe çfarë duhej bërë. Thotë do mbledh fakte, kur faktet i ka dorëzuar në KAS. Po shpërndoron besimin që institucioni i ka ofruar. Pas tre javësh që ke marrë vendimet, del e thua që duhet mbledhur kryesia.
Ne luftojmë Edi Ramën që është arrogant dhe autoritar, por kjo sjellje me institucionet e partisë, është një arrogancë e fshehur me buzëqeshje. Gjithmonë kur ka zgjedhje, do të jetë dikush që do të tentojë të manipulojë. Është alibi absolute e tij për të mbrojtur karrigen e vet. Jo se nuk ka pasur abuzim dhe përdorim të mjeteve të shtetit, por po e përdor për agjendën e vet.
Ne humbëm. Pjesë e humbjes është dhe kur vjedh kundërshtarin. Unë nuk ve fajtor kundërshtarin, bëj fajtor veten nëse humb, edhe nëse m’i vodhën. Beteja e Bashës për votën, mbaroi. I dëmtuari i parë është Sali Berisha, sepse është investimi i tij politik. Jam i bindur se kjo parti i dhimbset shumë më tepër Sali Berishës se Lulzim Bashës’’.