Elseid Hysaj do të largohet nga Napoli në fund të sezonit dhe kjo tashmë është e sigurt. Mbrojtësit shkodran i përfundon kontrata me të kaltrit dhe pas 30 qershorit del lojtar i lirë, teksa ka qenë vetë agjenti i lojtarit, i cili ka thënë se në fund të sezonit do të largohet.
Prej kohësh është folur për një interesim të Milanit, por nuk janë vetëm kuqezinjtë alternativa e vetme.
Së fundmi në Itali thuhet se trajneri Mauricio Sarri është shumë afër stolit të Romës dhe në rast se kjo realizohet, atëherë mund të kërkojë ta marrë shqiptarin përsëri nën urdhrat e tij, njëjtë siç bëri kur kaloi nga Empoli te Napoli.
Gjithashtu ekziston edhe mundësia për të kaluar te Fiorentina, aty ku thuhet se trajneri i ardhshëm mund të jetë ai aktual i Napolit, Xhenaro Gatuzo. Ky i fundit i ka dhënë minuta Hysajt këtë sezon dhe mund të tentojë ta marrë edhe te Fiorentina, në rast se gjithçka realizohet.