Kryetari i Kuvendit të Serbisë dhe kryetari i partisë socialiste, Ivica Daçiç ka folur rreth dialogut Kosovë-Serbi, ku është shprehur se kjo gjë nuk varet nga Albin Kurti dhe Vjosa Osmani.
Sipas Daçiç, problemi për Prishtinën është se Beogradi këmbëngul në një kompromis dhe ai kompromis është, nga këndvështrimi i Prishtinës, një qasje ekstreme, shkruan Gazeta Express.
Ai tha se në Beograd ishte diskutuar se kush është më i mirë për Serbinë dhe se ata ‘vrisnin’ mendjen duke vlerësuar nëse ishte Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj apo kryeministri aktual, Albin Kurti.
“Ne thamë se Haradinaj ishte më e keqja, por tani, Haradinaj është lule në krahasim me Kurtin dhe Osmanin”,– tha Daçiç.
Ai tha se kryeministri Albin Kurti dhe presidentja e re e Kosovës, Vjosa Osmani, janë një kombinim që ka mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare. Për Osmanin, e cila mori pjesë në listën e Vetëvendosjes në zgjedhjet e fundit, ai thotë se është një “refugjate, sepse u zhvendos nga një kamp politik në tjetrin”.
“Çfarë lloj dialogu është ai, kur ata thonë në fillim ne nuk e pranojmë Marrëveshjen e Brukselit”,- tha ndër tjerash Daçiç.
“Dhe temat që Prishtina dëshiron t’i diskutojë janë gjithmonë të njëjtat, dëmshpërblimet e luftës, faljet, kjo, ajo”.– përfundoi ai.