Mashtronin për vizë pune në Britani/ Arrestohet 39-vjeçarja, 2 në kërkim

Një person është arrestuar dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim, pasi mashtronin njerëz duke u marrë shuma të mëdha lekësh dhe premtuar viza pune për në Britaninë e Madhe.

Operacioni policor i kodurar “Udhëtimi i sigurt”, ka bërë të mundur arrestimin e 39-vjeçares me iniciale E.T dhe shpalljen në arrestim të dy bashkëpuntorëve të saj E.M dhe J.D.

Njoftimi i policisë:

Tiranë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Udhëtimi i sigurt”.

Operacioni i zhvilluar nga Seksioni i Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Mashtronin shtetas të ndryshëm duke i marrë shuma të konsiderueshme parash, me premtimin për pajisjen me vizë pune për në Mbreterinë e Bashkuar, vihet në pranga një shtetase, shpallen në kërkim 2 të tjerë.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Udhëtimi i sigurt”, në kuadër të të cilit bënë ndalimin e shtetases E. T., 39 vjeçe, banuese në Fier.

Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit me inicialet E. M. dhe J. D. (për arsye hetimore nuk jepen të dhëna të tjera).

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, mashtronin shtetas të ndryshëm duke iu marrë shuma të konsiderueshme parash, me premtimin për pajisjen me vizë pune për në Mbreterinë e Bashkuar dhe paisjen me certifikatë të falsifikuar të gjuhës angleze.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar shuma të konsiderueshme parash në euro dhe në lekë, si dhe 2 aparate celular.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Ushtrim pa licencë i veprimtarisë financiare”.