Aeroporti i Rinasit është përfshirë nga kaosi, për shkak të anulimit të fluturimeve, pas grevës së punonjësve të Albcontrol.
Ndërkohë, është bërë publike një foto, ku është shkruar një prej mbi 60 deklaratat që kanë dorëzuar kontrollorët e AlbControl për paaftësinë për punë.
Në të, duket qartë që argumentimi i kontrollorëve është stresi, teksa ata kanë kërkuar 3 ose 4 ditë kohë për rikuperim.
“Mungesë gjumi dhe përqendrimi; Stres i akumuluar për shkak të situatës financiare dhe COVID-19; Mos mbulim i paketës shëndetësore as nga sigurimet shoqërore as nga kompania e Spitalit Amerikan”, thuhet në dokument.
Shqipëria i ka të mbyllura të gjitha fluturimet hyrëse dhe dalëse nga Rinasi për një afat të pacaktuar.
Kjo për shkak se 65 kontrollorët e Albcontrol, një kompani me kapital 100% shtetërore, refuzuan të dilnin në punë pasi firmosën edhe deklaratën e paaftësisë në punë.
Ata kërkojnë që paga e tyre të vazhdojë si përpara pandemisë në mbi 4 mijë dollarë dhe për këtë kërkojnë ndërhyrjen e ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës.
Ministrja Belinda Balluku shkoi vetë fillimisht në Rinas ku bisedoi me kontrollorët por mbledhja dështoi dhe fluturimet vijuan të jenë të mbyllura.