Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko është renditur i 19-ti në listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste.
Gjatë fjalës së tij në prezantimin e kandidatëve, ai tha se ka presion jo për faktin se është i 19-ti, por sepse si çdokush ka përgjegjësi të madhe në këto zgjedhje.
Për Majkon ekipi kundërshtar po mbijeton, ndërsa PS është shpresa për shumë qytetarë që jetojnë këtu, dhe lokomotiva që do e ndihmojë PS për të shkruar historinë, mandatin e tretë.
Pandeli Majko: ”Unë të them të drejtën në emër të gjithë kolegëve kam një lloj presioni, por ky presion nuk vjen se jam numri 19 në listë, por nga pesha e përgjegjësisë që ka çdokush prej nesh sepse Tirana është sheshbeteja e kësaj fushate elektorale. Nuk është fjalë vetëm te matematika, se do fitojmë 18 apo 19 apo 20. Ky nuk është një ekip mbijetese, por shprese që bën diferencë me ekipin që kemi përballë.
Ata përpiqen të mbijetojnë në politikë. Ekipi ynë ua bën të qartë të gjithëve që jemi shumë afër shkruajtjes së historisë, për të marrë mandatin e tretë, por nuk është kaq e thjeshtë pasi ne jemi skuadra që ndihmon PS për të marrë këtë mandat të tretë, sepse nuk është vetëm kryeqyet Tirana, por lokomtiva e fitores.”