Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar një vizitë në një familje të vjetër beratase. Në bisedën që patën me Bashën, ata shprehën problematikat që has sot një familje normale.
Ata thanë se emigracioni i fëmijëve u ka ardhur në ndihmë për të ndërtuar shtëpinë, ndërsa pensionet që marrin nuk u dalin as për të paguar energjinë elektrike.
Basha tha se rritja e pensioneve do të fillojë me ardhjen e Partisë Demokratike në pushtet, ku minimale do jetë sa norma e inflacionit dhe jo më pak se 5%.
Një zotim tjetër është edhe rimbursimin i ilaçeve përtej diagnozës, për t’u ardhur sadopak familjeve shqiptare si dhe kompensimi për të gjithë ish-pronarët të cilëve nuk u është rikthyer prona.
Lulzim Basha: ”Unë i kam të dy prindërit pensionistë dhe e di fare mirë që me pensionet e tyre, pasi paguajnë energjinë edhe ilaçet s’ju mbetet pothuajse asgjë po s’pate mbështetjen e fëmijëve. Dhe ky është realiteti kudo me pensionistët. Rritja e pensionit do të fillojë me ne, vit pas viti do të rritet minimalisht dy herë sa norma e inflacionit dhe jo më pak se 5% në vit. Sepse në këtë mënyrë të paktën ju do të keni më shumë para nga rritja e pensionit sesa rriten çmimet.
Se çfarë kuptim ka në qoftë se çmimi i bukës, i mollës, i portokallit rritet më shumë sesa pensioni do të thotë që ju zhyteni gjithmonë edhe më thellë në varfëri. Ilaçet e pensionistëve do të rimbursohen për të gjithë shqiptarët përtej diagnozës dhe me këto të paktën nuk po them se do bëhet ndonjë mrekulli, po të paktën do t’ju rikthehet dinjiteti dhe vendi që meritoni në familje dhe në shoqëri për sakrificat që keni bërë.”