Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka reaguar në lidhje me atentatin që iu bë prokurorit Arjan Muça dy ditë më pare, në zonën e ”Komunës së Parisit’’ në kryeqytet.
Meta e dënon me forcë këtë ngjarje të cilin e konsideron si akt criminal, dhe u kërkon institucioneve që të garantojnë mbrojtje për prokurorin dhe familjes e tij.
Ndër të tjera, Meta shprehet se çdo sulm apo intimidim ndaj funksionarëve të Drejtësisë duhet të marrë ndëshkimin më të ashpër ligjor.
”Dënoj me forcë aktin kriminal ndaj funksionarit të sistemit të drejtësisë, Prokurorit Arjan Muça. Duke mbështetur plotësisht vendimmarrjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për sigurinë e tij, u kërkoj institucioneve të ngarkuara nga ligji të garantojnë mbrojtjen e posaçme për Prokurorin Muça dhe familjen e tij.
Organi i akuzës dhe të gjithë agjencitë ligjzbatuese e të sigurisë duhet të angazhohen maksimalisht për të zbardhur sa më parë ngjarjen dhe identifikuar autorët.
Çdo sulm apo intimidim ndaj funksionarëve të Drejtësisë duhet të marrë ndëshkimin më të ashpër ligjor.’’, shkruan Meta në rrjetin social, Facebook.
Kush është prokurori Arjan Muça?
Ai është një emër i njohur, pasi ka qenë shefi i Operacionit për arrestimin e Dritan Dajtit në 7 gusht 2009, ku për pasojë mbetën të vdekur 4 policë.
Muça njihet si një nga policët që ka patur një kalvar përplasjeje në gjykatë me Dritan Dajtin, i cili kundërshtonte akuzat e ngritura për të.
Më pas, Muça është emëruar prokuror në Gjirokastër, ndërkohë që muajt e fundit është komanduar në Tiranë te Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Arjan Muça është bashkëshorti i Gentiana Muçës, e cila është gjyqtare në Gjykatën Administrative të Tiranës, ndaj policia po heton nëse ngjarja lidhet edhe me detyrën e saj.