Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, foli në emisionin “Frontline” për situatën e krijuar nga koronavirusi.
Numri dy i shëndetësisë, tregoi edhe arsyet pse sipas saj, muaji shkurt ishte muaji më i errët i pandemisë në vendin tonë, ku u shënua numri më i lartë i viktimave.
Rakacolli shtoi se edhe njerëzit tashmë janë të lodhur dhe nuk i respektojnë masat kufizuese.
Mira Rakacolli: ”Përderisa ne kishim numrin më të madh të infektimeve këtë muaj, padyshim që mund të kishte dhe fatalitete. Pastaj, kemi ndryshime shumë të mëdha, që besoj do të vërtetohen edhe laboratorikisht, që kemi edhe variantet e reja të koronavirusit, që ka transmetueshmëri më të lartë. Pra, varianti britanik është më infektiv, mund të infektojë 4-5 njerëz, ndryshme nga i pari që mund të infektonte 1-2 njerëz. Gjithashtu, duhet thënë që edhe njerëzit, të lodhur nga pandemia, nuk i respektojnë masat. Janë një grup shkaqesh, që çuan në këtë bilanc. Të mos harrojmë që edhe stina e dimrit e rrit infektueshmërinë.”