Plot katër lojtarë të Bajernit janë infektuar në 2021 nga COVIDi. Dy nga këta në javën që shkoi. A do të karantinohet skuadra kampione e Gjermanisë?
Autoritetet shëndetësore nuk e përjashtojnë si mundësi. Në Mynih numri është rritur ndjeshëm duke mos kursyer as skuadrën më të titulluar në Bundesligë.
Klubi gjerman, edhe pse ka rritur numrin e testimeve dhe masat e sigurisë, prapë nuk i ka shpëtuar virusit. Për ashpërsimin e masave si dhe një izolim të mundshëm të skuadrës në të ardhmen, nëse numri i lojtarëve vazhdon të rritet ka folur ministria e Higjienës dhe Shëndetit në Gjermani.
“Ministria ka të drejtë të izolojë një skuadër dhe ta pengojë atë për të zhvilluar ndeshjet nëse ajo ka raste të shumta infektimesh. Kjo do të thotë se masat e marra nga klubi përkatës nuk janë respektuar dhe për këtë duhet të kontrollohen me imtësi. Nëse inspektorët tanë do të vërenin një shkelje, atëherë aktiviteti për atë skuadër do të ndërpritej menjëherë”, bën me dije zyra e shtypit e autoriteteve për menaxhimin e pandemisë.